Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, deklaroi sot në Komisionin e Integrimit Europian ku po diskutohet miratimi i Planit të veprimit për plotësimin e 15 rekomandimeve të Këshillit Europian se, “pas vendimit të hapjes së bisedimeve Shqipëria ka marrë një “po” të kushtëzuar, e cila nënkupton se për marrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe pastaj për negocimin e kapitujve duhet të plotësohet një listë e kushteve. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka filluar procesi teknik i përgatitjeve për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”.

Nga ana tjetër, shtoi Cakaj, “ka vijuar dhe puna teknike shqyrtimin e hendekut mes legjislacionit vendor dhe atij europian që realisht është një pjesë thelbësore përpara miratimit të kornizës negociuese”

“Në datën 1 korrik është prezantuar gjithashtu korniza negociuese për Shqipërinë, e cila realisht është diskutuar tani vazhdimisht në kuadër të Presidencës gjermane dhe ne presim që pasi të publikohet pakoja e re e zgjerimit nga ana e KE dhe të prezantohet po ashtu edhe plani i investimeve për Ballkanin Perëndimor të miratohet dhe korniza negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo gjë realisht do të ofrojë një skicim shumë më të qartë të të gjitha kushteve të nevojshme, të progresit që ka bërë Shqipëria dhe të ofrojë gjithë rrugën e qartë sesi mund të ketë një konfirmim shtesë sesi Shqipëria vazhdon t’i plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme dhe ka një progres të qëndrueshëm për të vazhduar rrugëtimin në këtë proces”.

Cakaj shtoi se, “një element tjetër i rëndësishëm është puna për screening dypalësh dhe më vonë natyrisht janë të gjitha elementët që kemi prezantuar në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, por unë po nënvizoj se janë disa kushte të nevojshme për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ndonëse shpeshherë theksohen 15 kushte, mund të dallojmë që këto kushte nuk janë ekskluzivisht për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por një pjesë e tyre janë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe miratimin e kornizës negociuese dhe pjesa tjetër shërbejnë si parakushte për hapjen e kapitujve për negocim sipas metodologjisë së re”.

Duke folur për kushtin e e reformës elektorale, Cakaj u shpreh se, në thelb ka qenë miratimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.

“Ne i dimë të gjithë sfidat e reformës elektorale megjithatë duhet patur parasysh se konsensusi ndërpartiak për reformën elektorale është përshëndetur edhe nga autoritetet më të larta europiane dhe natyrisht vlen si një pikëfillimi i rëndësishëm ose indikator që kushti është përmbushur dhe tre kushtet të tjera në radhë që natyrisht është sigurimi i kuorumit në Gjykatën Kushtetuese, pra shtimi i dy gjykatësve shtesë që jemi në pritje. Plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë dhe fillimi i punë së SPAK, jo me rritjen vetëm të numrit të stafit, por realisht edhe me fillimin e rasteve të para të cilat janë publike. Dhe ky kusht duhet të konsiderohet i përgjithësisht i plotësuar dhe për këtë janë informuar të gjitha autoritetet relevante në këtë proces”, u shpreh Cakaj.

“Pjesa tjetër e kushteve që varijojnë nga vazhdimi i reformës në drejtësi deri tek çështja e ligjit të medias dhe akomodimi i rekomandimeve që vijnë nga opinioni i Komisionit të Venecias janë çështje që duhet të trajtohen në proces dhe natyrisht kërkojnë dhe bashkëpunimin e qeverisë dhe Kuvendit. Sigurisht janë kushte që duhet të trajtohen gjatë procesit negociator dhe nuk duhet të ngatërrohen asnjëherë me pakon e kushteve që janë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, tha Cakaj.