I dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell po qëndron për vizitë në Serbi. Ai pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, ka thënë se presidenti i SHBA-së Donald Trump ka shprehur dëshirën për të vizituar Serbinë. “Ai është i vendosur të vijë … Unë nuk kam data, por ai shprehu dëshirën e tij për të ardhur. Ai (Donald) dhe Ivanka (Trump) kanë shprehur dëshirën për të ardhur në Beograd,” tha Grenell.
Pas vizitës së djeshme në Prishtinë, ku u nënshkrua një marrëveshje tjetër e re Kosovë-SHBA, sot delegacioni i qeverisë amerikane, pjesë e së cilës është edhe Grenell, po qëndron për një vizitë në Serbi. Vizita e delegacionit amerikan në rajon vjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik. Përveç Kosovës, Greqisë dhe Serbisë, delegacioni do të vizitojë edhe Izraelin.