Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka inspektuar sot punimet në shkollën e Mesme të Bashkuar “Llesh Nik Daka” në Lezhë, e cila më 26 nëntor do të jetë gati për të pritur 535 nxënës me standarde bashkëkohore.

Kryeministri Rama bëri të ditur se ndryshe nga më parë, shkolla e Mesme e Bashkuar “Llesh Nik Daka” do të ketë ambiente për të gjitha funksionet e një shkolle dhe qendre komunitare, laboratorë, kënde sportive, mjedise shërbimesh, infrastrukturë moderne më të sigurtë dhe me kushte optimale.

“143 shkolla të reja në zonën e prekur nga tërmeti do të jenë një model shembullor i ambicies sonë për Shqipëri”, tha Rama.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se “kjo është shkolla e bashkuar me të gjitha ciklet deri në shkollën e mesme e konceptuar që të pres 535 nxënës përfshirë edhe parashkollor. Punimet kanë avancuar dhe kjo mbaron në 26 nëntor”.

Për shkollat e financuara nga Bashkimi Europian, Ahmetaj tha se “ dje ka dalë edhe në uebsajtin e UNDP që 22 shkollat e para janë në procesin e prokurimit dhe në fund të shtatorit 5 të parat fillojnë punën dhe pastaj nga një javë konsekutive fillojnë deri në 22. Janë edhe 40 shkolla të tjera që janë përcaktuar dhe po bëjnë procesin e verifikimit dhe atë që UNDP e bën zakonisht edhe konsultimin me komunitetin”.