“Integrimi Europian është një rrugëtim kompleks që kërkon bashkërendimin e shumë aktorëve, si të qeverisë, Kuvendit, institucioneve të gjyqësorit, partive politike, shoqërisë civile e deri tek qytetari më i thjeshtë”, deklaroi sot nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla.
Balla mori pjesë në mbledhjen e këtij Këshilli, ku u diskutua mbi progresin e realizuar dhe sfidat në kuadër të Kriterit Politik, Kapitullit 23 me fokusin në 15 pikat e Vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian të datës 25 Mars 2020 për hapjen e negociatave. Ai tha se “është një qasje totalisht e gabuar nëse do të mendonim që vullneti i qeverisë apo vetëm i mazhorancës do të ishte i mjaftueshëm në këtë drejtim”. “Në këtë rrugëtim duhet të jemi së bashku për të mundësuar avancimin sa më të shpejtë dhe të sigurt në procesin e integrimit të vendit”, shtoi ai.
Balla tha se “Shqipëria ndodhet në prag të publikimit të raportit nga Komisioni Europian dhe po ashtu te marrjes së vendimit për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”. Sipas Ballës, “Plani i Masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE-së në mars të këtij viti duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha institucionet e përfshira, të cilat do të duhen të raportojnë në Parlament në lidhje me punën e bërë në drejtim të realizimit të detyrave të lëna.
“Jam veçanërisht falënderues për takimin e sotëm për shkak të momentumit në të cilin ndodhet Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Jemi në prag të publikimit të raportit nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe po ashtu te marrjes së vendimit për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Këtij Këshilli i takon të përcjellë një mesazh që Shqipëria vazhdon të jetë e ankoruar në projektin historik, pikërisht atë të integrimit në familjen europiane. Dhe kjo vendosmëri duhet të shoqërohet me një vetëdije të fortë në lidhje me sfidat që na presim dhe që ne të gjithë këtu duhet të jemi gati për t’i përmbushur për sektorin që mbulojmë”, tha Balla. Në linjë me këtë angazhim, Balla tha se sot njihemi me progresin e bërë në kapitullin 23, i cili do të detajohet imtësisht nga Ministrja e Drejtësisë.
“Kapitulli 23 së bashku me Kapitullin 24 kanë një rëndësi të veçantë dhe janë determinantë për të përcaktuar përparimin e një vendi në rrugëtimin evropian, nëse marrim një tabelë krahasuese me vende të tjera të angazhuara në këtë proces. Për këtë qëllim, duke pasur parasysh rolin e KKIE-s si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin europian, synojmë që për tematika vendimtare si kjo e sotmja të rritet transparenca dhe llogaridhënia në vendimmarrjen e institucioneve përgjegjëse”, tha ai.
Balla vendosi theksin në rolin parësor dhe të pazëvendësueshëm të Kuvendit të Shqipërisë në monitorimin e aktivitetit të strukturave shtetërore në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit. “E theksova edhe e rithem sa herë më jepet mundësia në këtë Këshill, në një moment historik në të cilin ndodhet vendi, Kuvendi duhet të marrë rolin që i takon të kontrolluesit dhe të monitoruesit të institucioneve të tjera për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit”, tha ai. Përpos kësaj, Balla theksoi se “Kuvendi prej vitesh ka shërbyer si urë lidhëse mes aktorëve të përfshirë në procesin e integrimit dhe KKIE është një shprehje e këtij roli”.
Balla inkurajoi që në këtë faze sa historike po aq edhe sfiduese edhe delikate për vendin, të nxisim zhvillimin e takimeve intensive në kuadër të KKIE apo edhe të Komisionit të Integrimit Evropian, për të përmbushur detyrimin tonë ligjor në raport me procesin e integrimit. “Kuvendi do të monitorojë zbatimin e Planit të Veprimit, duke inkurajuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe atyre të pavarura për të përparuar në kërkesat e vendosura nga Këshilli me synim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Ky monitorim do të bazohet ne raportimin periodik nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e masave të Planit”, tha ai.