Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se, funksionaliteti i plotë i KLGJ dhe KLP, ngritja e SPAK në dhjetor 2019, dhe emërimi i drejtorit të BKH sollën rezultate të tjera të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke raportuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit, mbi detyrimet që Ministria e Drejtësisë si institucion lider për kapitullin 23 po ndjek në përmbushjen e 15 kërkesave të çështjeve të përgjithshme të Bashkimit Europian Gjonaj u shpreh se, “reforma në drejtësi ka arritur rezultate shumë të mira gjatë kësaj periudhe. Padyshim e dimë të gjithë që është reformë shumë komplekse dhe radikale, ku ka pasur jo pak vështirësi në zbatimin e saj dhe në një luftë të vazhdueshme me kohën për të arritur të gjitha pritshmëritë”.

Por, shtoi Gjonaj, pavarësisht kësaj rezultate shumë të mira janë arritur deri tani. Përveç funksionalitetit të plotë të dy Këshillave, KLGJ dhe KLP, ngritja e SPAK në dhjetor 2019, ashtu si edhe emërimi i drejtorit të BKH sollën rezultate të tjera të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. “Emërimi i 3 gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë gjithashtu ka qenë një progres, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të ndihmuar në uljen e çështjeve në këtë gjykatë. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm sipas parashikimeve ligjore gjithashtu është një arritje e të gjithë aktorëve me përgjegjësi kushtetuese të përfshirë në këtë proces”, tha Gjonaj.

Gjonaj shtoi se, “në çdo proces që ka të bëjë me institucionet e reja si dhe Gjykatën e Lartë apo Gjykatën Kushtetuese një aspekt i rëndësishëm është procesi i vettingut, i cili ka ecur një proces i rëndësishëm është vettingu, i cili ka ecur me ritme të ngadalta në këtë periudhë pasi padyshim edhe pandemia, apo fatkeqësia natyrore ka sjellë ndikimin e saj si në çdo fushë tjetër, por po punohet së bashku me komisionet e vettingut dhe ONM dhe partnerët ndërkombëtar për të përshpejtuar ritmet duke marrë në konsideratë dhe shtimin e burimeve njerëzore”. Tashmë, tha Gjonaj, “KPK ka marrë 295 vendime për gjyqtarë dhe prokurorë, ku nga rezultatet e deritanishme më shumë se gjysma e tyre është shkarkuar duke sjellë gjithashtu dhe një problematikë tjetër, e cila po adresohet për vakancat që ka sistemi”.

Gjonaj theksoi se “reforma në drejtësi tashmë ka një kuadër të plotë ligjor ku e gjithë paketa e akteve nënligjore ka përfunduar”. Ministrja Gjonaj shtoi se, “në këtë rrugëtim partnerët ndërkombëtarë kanë qenë absolutisht një mbështetje e jashtëzakonshme. Delegacioni i BE, ambasada e SHBA dhe misionet OPDAT dhe EURALIUS ashtu si dhe partnerë të tjerë të përfshirë në procese të caktuara që lidhen me reformën në drejtësi. Aktualisht së bashku me partnerët kemi hartuar Planin e Veprimit për Reformën në Drejtësi, një Plan me afate të shkurtra dhe masa konkrete, në bashkëpunim dhe me institucionet e drejtësisë, me qëllim që të arrijmë rezultatet më të rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi. Një angazhim që kjo mazhorancë e ka marrë që në krye të herës dhe vazhdon t’i japë jo vetëm mbështetje politike, por edhe institucionale dhe mbështetje buxhetore”.

“Ne duhet të fitojmë kohën, me qëllim që të kemi mundësi të kemi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të ngritur me kuorumet e nevojshme brenda këtij viti”, tha Gjonaj.