Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo u shpreh se 25 milionë euro është vlera e investimit në tre portet kryesore të vendit në zhvillimin e ekonomisë detare, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit. Në një intervistë televizive, Kristo tha se “investmet do të përdoren për rindërtimin e portit të peshkimit të Vlorës, të Shëngjinit dhe Durrësit”.
“Projektet e reja synojnë transformimin tërësor të portit të peshkimit në Vlorë, ku vlera e projektit arrin në 14.5 milionë euro, 4.5 milionë euro do të investohen në portin e Shëngjinit dhe për portin e Durrësit i cili do të ketë një zgjerim të mëtejshëm me qëllim që të përballojë nevojat në rritje të flotës së peshkimit do të investohen 4.5 milionë euro”, u shpreh ai. Konsumi vjetor në vendin tonë arrin në 12 mijë tonë peshk, ndërsa flota e peshkimit numëron mbi 500 anije që përfitojnë naftë pa akzicë, që ndihmon peshkimin të ketë rritje nga viti në vit.
“Aktualisht anijet e peshkimit e marrin naftën me 39 dollarë për litër, që është një çmim shumë favorizues. Kjo ka sjellë që nga koha kur ka hyrë skema e lehtësisë fiskale për naftën e peshkimit të kemi një formalizim maksimal të këtij sektori, pasi faturat e naftës janë të lidhura me faturat e peshkut të shitur me TVSH-së”- tha Kristo. Shqipëria ka një vijë bregdetare të gjatë çka mundëson zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së peshkimit.