Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e vlerësoi çështje shumë të rëndësishme në politikat e qeverisë ruajtjen e biodiversitetit dhe pasurisë natyrore që ka zona e Prespës, në bashkinë e Pustecit, në juglindje të vendit. Në interpelancën e kërkuar nga deputeti Vasil Sterjovski, i cili kërkoi shpjegime nga ministri mbi programet dhe punën që po bën qeveria për të mbrojtur dhe zhvilluar zonën e Prespës, që shtrihet në kufijtë e tre shteteve (Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Greqi), Klosi tha se, “Prespa për vetë shtrirjen gjeografike që ka dhe lag tre shtete, është një pasuri natyrore me vlera të veçanta, për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta shndërruar në një burim të madhe ekonomik”.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare Klosi tha se, “jemi përpjekur dhe kemi organizuar një sërë aktivitetesh në bashkëpunim me bashkinë e Pustecit dhe qarkun e Korçës për ta shndërruar liqenin e Prespës dhe zonën e Pustecit në një destinacion të vërtetë turistik”. “Vetëm vitin e kaluar janë 110 mijë turistë që kanë vizituar zonën e Prespës dhe Pustecit që padyshim kanë ndikuar në përmirësimin e ekonomisë së zonës. Ajo për të cilën punojmë fort është fakti se sa industria e turizmit dhe mbrojtja e mjedisit, do të ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë shqiptare”, – tha Klosi.
Ministri theksoi se, “tashmë në zonën e Prespës bashkia Pustec, ka disa bujtina dhe njësi pritje të turistëve, të cilat mungonin para dy vitesh. Ka mbi 100 shtretër në atë breg liqeni të vogël, ndërsa kërkesa është në rritje të vazhdueshme. Sot Pusteci është një destinacion dhe në ditë të vitit është vështirë të gjesh vende të lira për të drekuar pa prenotim”.
Klosi shpjegoi filozofinë e programit të qeverisë për zhvillimin ekonomik ku nënvizoi se, “zgjidhja nuk është një projekt, por të gjejmë ndryshimin në shndërrim në destinacion dhe sot Korça shënon një destinacion 12-mujor edhe falë investimeve që janë bërë në gjithë infrastrukturën e zonës, ku pa dyshim vend zë edhe Pusteci. Pra ky është ndryshimi ku turizmi sjell impakt pozitiv në ekonomi”.
Klosi tha se, “qeveria ka ndërmarrë projekte radikale dhe multisektoriale në këtë zonë që përfshijnë investime në rehabilitimin e trashëgimisë kulturore, sistemet e kanaleve kulluese, të përpunimit të ujërave të zeza, mbrojtjes në mjedis, zhvillimin e agroturizmit etj.”. Ai theksoi angazhimin e qeverisë në ruajtjen e liqenit të Prespës si simbol të bashkëfqinjësisë mes tre kombeve tona.