Të ardhurat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë realizuar në masën 141.6 miliardë lekë, ose 100.4% e planit të periudhës. Kështu u shpreh sot anëtarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, e cila ndau disa të dhëna për periduhën janar-gusht 2020. Dhima tha se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave janë angazhuar dhe kanë punuar për realizimin e të ardhurave buxhetore për periudhën Janar – Gusht 2020”.

Sipas saj, “të ardhurat nga Akciza kanë performuar pozitivisht në raport me planin e periudhës, duke u realizuar në masën 28.3 miliardë lekë, ose 101.5%”. Po ashtu, Dhima tha se të ardhurat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave janë realizuar në masën 96.1 miliardë lekë, ose 99.5% e planit të periudhës. Ndërsa, të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin janë realizuar në masën 17.6 miliardë lekë, ose 98.6% e planit të periudhës. Dhima tha po ashtu se të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar janë realizuar në masën 81.3 miliardë lekë, ose 99.1% e planit të periudhës.

“Edhe për peridhën në vijim strukturat përgjegjëse të tatimeve dhe doganave janë angazhuar dhe po punojnë për realizimin e të ardhurave sipas planit të miratuar”, tha ajo.