Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria bëri realitet zerimin e tatimfitimit dhe të TVSH-së për biznesin e vogël si asnjë vend në rajon, ndërkohë që javës që vjen do të publikojë rritjen masive me 40% të rrogave për mjekët e infermierët. Kryeministri informoi se studimi për rishikim e sistemit të taksimit progresiv po vazhdon dhe besoj se dhe aty do të kemi konkluzione pozitive.

“Duke u nisur edhe nga njerëz që nuk kanë dëshirë për arsyen e tyre të pranojnë të mirën, progresin me këto masa, ku duke filluar nga ligji i korrikut, ku ne e bëmë realitet zerimin e Tatimfitimit dhe TVSH-së si asnjë vend në rajon për biznesin e vogël deri në 100 milionë lekë xhiro dhe zerimin e tatimfitimit si asnjë vend në rajon për biznesin e vogël në masën deri në 140 milionë lekë xhiro, them se kjo nuk ka të bëjë me fushatën elektorale”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk u kujtuam sot, por janë të gjitha fryte që merren në kohë pas një pune të gjatë”. “Janë masa që nuk mund të bëheshin kurrë, as nuk mund të mendoheshin 4 vite më parë apo 7 vite më parë kur u përballëm me gjithë atë gropë të zezë në llogaritë e shtetit dhe me gjithë atë mal të madh borxhesh për kompanitë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “pikërisht pse kemi bërë reforma, pse kemi ecur me vendosmëri dhe durim, edhe pse kemi pasur goditje pas goditjesh si askush tjetër si tërmeti e pandemia, i kemi përballuar me dinjitet dhe jemi sot në kushtet kur mund të vazhdojmë të realizojmë objektivat”. “Besoj javën e ardhshme do të jemi gati ta publikojmë rritjen masive të rrogave për mjekët. Kur unë përmenda mësuesit pashë reagime si: ‘keni premtuar për mësuesit që do rritet 40%, ku e keni?’. Llogaritë janë shumë të thjeshta dhe ne do t’i bëjmë llogaritë edhe kur të publikojmë rritjen e pagave të mësuesve. Mjekët dhe mësuesit i kemi në fokus shumë, shumë fort. Do të bëjmë llogarinë dhe do të shohim se faktikisht ky është një zotim i mbajtur”, tha ai.