Kryebashkiaku Erion Veliaj u emocionua jo pak pasditen e sotme, gjatë aktivitetit të Forumit të Gruas Socialiste, kur iu desh të prezantonte një person të veçantë në jetën e tij.
Ajo quhet Oljana Çato dhe ka qenë mësuesja kujdestare e kreut të Bashkisë së Tiranës, të cilën Veliaj e cilësoi me fjalët “heroinë” dhe thuajse një nënë e dytë për të.
“Kam ftuar një njeri shumë special sot. Ajo ka kaluar gjithashtu një vit të vështirë sepse para pak kohësh ka humbur bashkëshortin. Ajo ka qenë një njeri shumë i afërt në një moment shumë kritik të jetës sime. Unë nuk kam qenë gjithmonë Erioni që njihni ju sot, kam pasur edhe unë ato momentet e mia të devijimit prej situatave në familjen time, por ajo më ka qëndruar pranë kur ndodhi karantina e pare, ajo e vitit ’97, kur ne linim mësimin jo prej armiqve të padukshëm, siç është sot virusi, por prej armiqve të dukshëm, siç ishin plumbat e atyre që e çuan vendin në atë kaos dhe pas gjithë atyre viteve duan të bëjnë ringjalljen e tyre të 3-të në politikë. Ajo është mësuesja ime kujdestare, Oljana Çato. Të jam shumë mirënjohës dhe jam shumë krenar për ty! Ti je një heroinë e vërtetë. Unë jam djali i Shqiponjës në gjendjen civile, por unë nuk e di kush do mund të kishte zgjedhur një nënë dhe një mësuese më të përkushtuar, më të dashur, se ty. Ke qenë e dashur në ditët e mia të vështira, por e rreptë në ditët e mia të sfidave”, tha Veliaj, fjalë të cilat e emocionuan zyshën e tij kujdestare.