Opozita jashtëparlamentare ka bojkotuar mbledhjen e sotme të Këshillit Politik me kërkesën se ky organizëm duhet ti drejtohet ODIHR-it për të dhënë opinion mbi ndryshimet kushtetuese që u miratuan në 30 Korrik në Kuvendin e Shqipërisë. Mazhoranca akuzoi se ky qëndrim i opozitës jashtëparlamentare tregon se ata duan të krijojnë në mënyrë artificiale një krizë për të justifikuar qëndrimet radikale të mëtejshme. Përfaqësuesit e PD dhe LSI në Këshillin Politik vijimësisht gjatë punës së kësaj strukture kanë kundërshtuar opinionet e ODIHR-it.
 
Në mbledhjen e datës 29 Maj 2020, teksa diskutohej për çështjen e depolitizimit të administratës zgjedhore, teknologjisë në zgjedhje dhe kuotave gjinore, mazhoranca kërkoi të merrej në konsideratë opinion i ODIHR-it për këto çështje. ODIHR kishte si rekomandim kyç depolitizimin e administratës ashtu sikurse sygjeronte shtrirjen e teknologjisë jo më shumë se 10% të territorit për herë të parë. Sipas materialeve audio të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare në përgjigje të kërkesës për të marrë për bazë mendimin e ODIHR janë shprehur kategorik kundër.
 
“Dimë të lexojmë rekomandimet e ODIHR-it. Historia e reformës në drejtësi nuk ka për të ndodhur sërish! Që ekspertiza të përcaktojë se kush është reforma. Është politike e pastër kjo reformë. Që unë të them që propozimi që kanë bërë dy kolegë të mi nuk bën, unë këtë se them dot. Ashtu sikurse në gjykimin tim ata nuk e thonë dot që propozimi që kemi bërë ne nuk bën. Ky është gjykim yni politik. Ti thuash ekspertëve tani gjykoni propozimin politik dhe teknik të opozitës i vë ata në vështirësi dhe ngatërron mekanizmin që kishte 14 Janari. Jemi ulur me atë mekanizëm Damian dhe ti se ndërron dot këtu në tavolinë. Nuk e ndërron dot! Edhe aq më pak edhe ekspertiza ndërkombëtare që ta dish. ODIHR-i dhe OSBE-ja nuk e shkruajnë dot Kodin Zgjedhor.

Po ja kërkove do ti mbyllësh derën aty! Do ta mbyllin ata derën sepse ata kurr nuk pranojnë që të shkruhet Kodi Zgjedhor prej tyre sepse do të jenë ata që do të bëjnë vlerësimin e Kodit të vet pastaj dhe do jenë ata që do bëjnë vlerësimin e zgjedhjeve mbi Kodin që kanë shkruajtur ata. Prandaj mos ja rrëshkit poshtë derës problemin. Jemi këtu, kemi marrë përsipër këtë lloj detyrimi dhe ti rrimë ne përballë kësaj. Rekomandimet e ODIHR dimë ti lexojmë të gjithë. Janë taban dhe kanë hapësirë pafund sipër”, rezulton të jenë shprehur përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare./Lexo.al