Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar të enjten në drekë disa drejtues të përkohshëm të prokurorive, ku mes emrave janë dhe prokurorja Donika Prela dhe Anton Martini, të cilët u emëruan në Tiranë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen plenare të radhës. Në respektim të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, mbledhja është zhvilluar përmes platformës online në prani të tetë anëtarëve të Këshillit dhe në mungesë të anëtares Esmeralda Keshi si dhe përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, programet EURALIUS dhe OPDAT.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar unanimisht projektaktin “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë, Abaz Muça, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat; Rifat Kojku, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër; Rita Gjati, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës si dhe Kreshnik Ajazi, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Unanimisht janë miratuar edhe projektaktet “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Anton Martinit, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë; Donika Prelës, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë; Alma Bramos, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Gjatë seancës, Këshilli miratoi projektaktin për mbarimin e statusit për shkak të dorëheqjes së magjistratit Bujar Hoxha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe raportin për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit Bardhok Lleshi, i cili do t’i dërgohet KPK dhe OMN.