Kombëtarja shqiptare ka nisur punën për dy ndeshjet e para të UEFA Nations League kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë që do të zhvillohen në 4 dhe 7 shtator. Kuqezinjtë të drejtuar nga trajneri Edy Reja, pasditen e së hënës zhvilluan seancën e parë stërvitore me trajnerin italian që verifikoi gjendjen e futbollistëve të tij pas një periudhe të gjatë pezullimi aktivitetesh për shkak të pandemisë coronavirus.

Lajmi më i rëndësishëm i kësaj dite është largimi nga grumbullimi i Marash Kumbullës që u konfirmua nga vetë Federata Shqiptare e futbollit që do të thotë se mbrojtësi nuk do të jetë në këto dy ndeshje të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare

Marash Kumbulla u mësua se kishte pësuar një dëmtim pikërisht ditën e shtunë gjatë konferencës për shtyp të trajnerit Reja kur publikoi listën e të grumbulluarve për sfidat e këtij muaji dhe testet mjekësore të kryera treguan se ai nuk është në gjendje që të zhvillojë këto përballje të Nations League. Po kështu kujtojmë se ndaj Bjellorusisë nuk do të luajë as Broja për shkak skualifikimi pas një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje të Kombëtares U19.

Ndërkaq, skuadrës kombëtare i është bashkuar edhe Odise Roshi, ndërkohë që Lenjani dhe Kamberi vazhdojnë të jenë të bllokuar në Zvicër për shkak të masave kufizuese të ndërmarra nga qeveria helvete për parandalimin e përhapjes së Covid 19.