Sektori automotiv gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e investitorëve të huaj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj solli sot historinë e kompanisë “Giobert Albania”, me kapital tërësisht italian.

Kompania “Giobert Albania” është dega e tretë e hapur jashtë vendit të origjinës, pas Brazilit dhe Polonisë. Sipas Denajt, kompania tashmë po synon të mbyllë të gjithë ciklin e prodhimit në Shqipëri.

Në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë pandemisë kjo sipërmarrje është asistuar nga AIDA përmes shërbimit After Care.

Kompania “Giobert Albania” e nisi prodhimin në Shqipëri në vitin 2008. Ajo ka 55 punonjës dhe monton komponentë për mekanizmat e dyerve të automjeteve.

Tashmë, kompania synon kalimin nga faza e montimit manual në mbylljen e plotë të ciklit të prodhimit.

Kompania është mbështetur nga AIDA për përfitimin nga paketa financiare gjatë pandemisë, në bashkëpunimin me furnitorët lokalë si dhe për identifikimin dhe përzgjedhjen e burimeve njerëzore.