Javën që pritet do të ngrihet një grup pune, me përfaqësi nga Sindikata e mjekëve, ministrja e Shëndetësisë si dhe nga zyra e bashkëqeverisjes në Kryeministri, për të parë nga afër 4 kërkesat e parashtruar nga bluzat e bardha. Ky fakt u bë i ditur nga kreu i sindikatës së mjekëve, Gent Stroni pak pas takimit me ministren e Shëndetësisë dhe përfaqësues të tjerë të zyrën së bashkëqeverisjes, ku u diskutuan për pakënaqësitë e mjekëve. Në një prononcim për mediat Stroni tha se palët arritën në disa përfundime, ndërsa shtoi se do të ngrihet një kalendar me të gjitha kërkesat e parashtruara.
“Ajo që ne bëmë ishte se hodhëm hapat e para dhe krijuam një kalendar për të gjitha kërkesat që parashtruam. Nga e mërkura dhe e enjtja, ne do të kemi grupet tona të punës që janë grupe nga sindikata dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Kryeministrisë, për të arritur në përfundimet që do të donim të ishte. Ne nga pala qeveritare pamë të drejta këto 4 kërkesa, që do t’i parashtrojmë. Ne menduam se disa nga kërkesat janë pjesë për presidentin dhe një pjesë për qeverinë. Ne mendojmë që gjërat të zgjidhen vertikalisht. Ajo që unë shoh si sindikatë janë të 4 pikat që duhet të plotësohen. Të mërkurën tjetër do të ngremë grupin e punës.”, tha Stroni.