Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës së tij zyrtare në Washington, ka bërë edhe paraqitjen e tij të parë para mediave, pas takimit me palën serbe, të mbajtur në prani të këshilltarit për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-ve, Robert O’Brien, ambasadorit Richard Grenell dhe ekipit nga institucione të ndryshme të SHBA-ve që mbështesin këto bisedime, këtë dialog të përqendruar në temat ekonomike.
“Ne tash kishim një takim bashkë me presidentin serb dhe me Këshilltarin O’Brien. Nesër presim që ta finalizojmë gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot paradite dhe pasdite” vijoi kryeministri Hoti, duke shtuar se informata më në detaje do të jepen nesër.
Më tej, kryeministri Hoti siguroi se marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë.
Po ashtu, kryeministri Hoti tha se është bërë një progres i madh në çuarjen përpara të bashkëpunimit ekonomik dhe jemi një hap më afër përmbylljes së marrëveshjes.
I pyetur nëse është kërkuar njohja nga Serbia, kryeministri Hoti bëri të ditur se çdo gjë që flasin me Serbinë, qëllimi ynë është njohja reciproke.
Ndër të tjera, kryeministri Hoti u pyet edhe nëse do të ketë shkëmbim të territoreve, ndërsa tha se asnjëherë as nuk është shtruar e as nuk do të lejojë të shtrohet kjo.
“Jemi plotësisht brenda parimeve që i kemi si qeveri. Ju do të shihni nesër marrëveshjen se kështu ishte dakordimi që nesër të bëhet e qartë gjithçka që jemi marrë vesh”, tha kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti deklaroi se është bërë një hap i madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale.