Kryeministri Rama falenderoi në takimin e sotëm mësuesit që transmetojnë leksionet përmes kanalit RTSH si pjesë e programit për mbulimin e mësimdhënies online dhe përmes televizionit në kushtet e pandemisë së Covid-19.

Rama premtoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm për shkak të punës së jashtëzakonshme që po bëjnë mjekët dhe mësuesit do të jenë të parët që do të trajtohen me rritje pagash, duke shtuar se në bazë të meritës, mësuesit më të aftë do të vlerësohen më lartë edhe ekonomikisht.

Kryeministri e konsideroi këtë program një rrugë alternative mësimi, e cila është po zbatohet edhe në vendet e tjera të botës, duke shpjeguar se mbyllja e mëtejshme e shkollave do të sillte pasoja më negative tek fëmijët në krahasim me sa ishte rreziku i përhapjes së virusit me kthimin e tyre në shkolla.

“Mësuesit e RTSH shkolla janë mësuesit e kalibrit më të lartë që kemi, të cilët do të shtojnë mundësinë e rritjes së cilësisë së mësimdhënies, mësuesit e tjerë do të nxiten të përmirësohen duke bërë krahasimin midis mënyrës se si e japin ata lëndën e tyre dhe si transmetohet ajo lëndë përmes këtij kanali ku është sintetizuar eksperienca, talenti dhe njohuria e mësuesve më të mirë të Shqipërisë”, tha Rama në fjalën e tij falenderuese.

Kryeministri Rama shtoi se RTSH shkolla është një risi e bukur e cila lindi në rrethana të papritura, por i shërben tashmë jo vetëm çdo nxënësi në shkollat e Shqipërisë për të zëvendësuar orët e mësimit ku e kanë pasur të pamundur të jenë të pranishëm ose në rastin më të mirë për të bërë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë në klasë, por nga ana tjetër do të krijojë mundësi komunikimi me fëmijët jashtë vendit pasi çdo fëmijë shqiptar kudo që jeton do të mundet të ndjekë mësimet në gjuhën shqipe.

Ai kujtoi edhe se niveli i drejtimit të shkollave po rritet përmes programit të Shkollës së drejtorëve, pas eleminimit të politizimit të administrates në shkolla. Me zotimin se përmirësimi i sistemit shkollor do të vazhdojë në rrugën e duhur, Kryeministri tha se sipas tij, mësuesit e kanë siguruar shpërblimin e tyre shpirtëror duke iu dhënë me kaq vullnet e sakrificë misionit të tyre të përhapjes së dijeve.