Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare deklaroi pak ditë më parë se bardhekaltrit kanë hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për të transferuar në kryeqytet mbrojtësin e kombëtares shqiptare Marash Kumbulla, por duket se së fundi situata ka ndryshuar.
Interi po ngurron të mbyllë marrëveshjen e arritur prej kohësh me futbollistin dhe klubin e Veronës, dhe ashtu siç përfitoi Milani në rastin e Sandro Tonalit, të njëjtën gjë dëshiron të bëjë edhe Lazio me Kumbullën.
Kështu Igli Tare ka nisur sërish kontaktet me presidentin e Veronës dhe i ka konfirmuar gatishmërinë e lacialëve për të paguar 15 milionë euro kesh dhe kartonët e 2-3 futbollistëve të rinj për të marrë mbrojtësin e talentuar.
Gjithsesi veronezët janë më të prirur të arkëtojnë sa më shumë para kesh nga shitja e mbrojtësit, sesa futbollistë në këmbim, pasi tashmë kanë një organikë të kompletuar dhe sidomos me emra të rinj.