Në janar të vitit 1997, përplasjet mes Azem Hajdarit dhe Sali Berishës arritën kulmin. Udhëheqësi i protestave antikomuniste Azem Hajdarin përshkallëzon aksionin me sindikatat kundër qeverisë së Partisë Demokratike, pas disa protestave që kishte zhvilluar në dhjetor. Si kundërpërgjigje, Sali Berisha e kishte përjashtuar Azem Hajdarin nga Këshilli Kombëtar i PD-së si dhe e kishte shkarkuar si kryetar të Komisionit Parlamentar të Rendit e SHIK, ndërsa në janar paralajmëron vdekjen e tij, duke e quajtur ‘pilot vdekje’ që përdorej nga padronët e tij.
Berisha kishte arritur ta largonte Azemin si kryetar i sindikatave me anë të vendimi gjykate, por Azemi u kthye tek studentët. Në 6 janar ’97, Azem Hajdari organizon një grevë në universitete, ndërsa Sali Berisha e akuzon për bllokimin e studentëve. Shqiptarja.com sjell artikujt e gazetës Rilindja Demokratike, organ zyrtar i Partisë Demokratike, ku reflektohet shqetësimi i Sali Berishës për lëvizjet e Azem Hajdarit. Gazeta e PD-së, për rrjedhojë e Berishës, e quan Azem Hajdarin klloun mjeran të politikës shqiptare që udhëheq një tufë ordinerësh, , përçarës, të dështuar si dhe e krahason me një kumarxhi.
Në artikullin e datës 7 janar 1997, gazeta Rilindja Demokratike, duke iu referuar grevës në universitete të organizuar nga Azem Hajdari në datën 6 janar, shkruan ndër të tjera: “Duke përdorur nipin e tij, që në vend të librave parapëlqen të mbajë vulën nën jastëk, Hajdari tenton të menaxhojë disa vështirësi të studentëve për të realizuar ambiciet e tij të sëmura politike. Hajdari i eksituar nga egoja e tij e fryrë me marifet nga një tufë bredhacakësh ordinerë, deklaron ringjalljen e trinomeve, sipas parimit ‘fol, fol se diçka do mbetet’. Hajdari, i shndërruar në pak kohë në klloun mjeran të politikës shqiptare, harron se një muaj më parë ishin punëtorët, ishin studentët dhe gjithë qytetarët e Tiranës, që nuk denjuan as të vinin ta përqeshnin mbledhje e tij në një ambient sportiv të stadiumit Qemal Stafa, ku britmat e tij ngjanin me akstazat e një drejtuesi bastesh…”.
Në 8 janar 1997, Sali Berisha ashpërson gjuhën ndaj Azem Hajdarit, përmes gazetës Rilindja Demokratike. Në shkrimin e datës 8 janar ’98, Berisha i jap një mesazh të koduar Azemit, duke e quajtur ‘pilot të vdekjes’. Berisha gjithashtu e shantazhon Azem Hajdarin, duke e paralajmëruar se do t’i publikojë histori të dyshimta. Mesazhi në gazetën Rilindja Demokratike është si vijon: “Pasi e kanë implikuar ne shumë histori të dyshimta të cilat Azemi i di mirë dhe ne do t’i publikojmë në numrat e ardhshëm, duke se padronët kanë vendosur ta përdorin, Azemin, tashmë të pavlerë, si pilot vdekje”. Në brendësi të artikullit hidhet verë dhe baltë ndaj Azemit.
Në datën 9 janar 1997, Rilindja Demokratike shkruan se grupi parlamentar i PD i ka propozuar forumeve të partisë që të përjashtojnë Azem Hajdarin nga grupi. Ndër të tjera, gazeta e PD-së shkruan: “Kryesia e grupit parlamentar të PD-së ka vendosur t’i propozojë forumeve drejtuesve të PD-së, largimin e deputetit A. Hajdari nga grupi parlamentar. Arsyet që kanë çuar krerët e grupit parlamentar të PD-së të kërkojë largimin e Hajdarit kanë të bëjnë me kundërvënien e tij ndaj programit të PD dhe qeverisë demokratike”. Në atë kohë PD-ja drejtohej nga Tritan Shehu, hije e Berishës. Si PD, gazeta RD, grupi parlamentar dhe strukturat ishin në duart e Berishës.
Në 9 janar 1997, Berisha hedh në veprim Forumin Rinor të PD-së, i cili zhvillon një takim m shoqatat e studentëve. Takimi pasqyrohet në shkrimin e RD-së në datën 10 janar ’97, ku studentët miratojnë edhe një deklaratë, ku deklarojnë distancimin nga Azem Hajdari, duke e quajtur provokator dhe të dështuar.”Gjithashtu ata kërkuan nga studentët zhvillimin normal të mësimit si dhe u bënë thirrje atyre të mos bien pre individëve të dështuar politikë, të cilët në mënyrë provokative dhe të paligjshme duan të përdorin studentët për qëllime ordinere”, thuhet në artikull.
Ndërkaq, në 20 janar 1997, Azem Hajdari flet në Parlament për përjashtimin, të cilin e konsideron të paligjshëm. “Unë aktualisht jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i pezulluar pa afat, dhe “pezullimi” si term ndryshon nga “përjashtimi”. Aty nuk përmendet motivacioni që ka thyer programin e PD-së. Ai që vendos për përjashtimin tim është Kongresi i PD-së, që e pranon propozimin e kryetarit ose jo, në rast se një kompetencë e tillë ndodhet në statut. Por kjo nuk është në statut”, tha ai. Azem Hajdari vijoi kritikat ndaj qeverisë së PD deri kur Berisha u rrëzua nga pushteti disa muaj më pas.
( Shqiptarja.com)