Nga Baton Haxhiu

Dy ditë kam pritur se kush apo cili nga pjesëtarët e stafit të Gjykatës Speciale do të arrestohet për rrjedhje te informacionit. Nuk janë të shumtë ata që kanë qasje në këto dokumente. Ka shumë pak njerëz të informuar për aktakuzat. Mund t’i numërosh në gishta të dorës; të njërës dorë ndoshta. Prandaj, pyetja që shtrohet është: kush nga ta i nxori ato dokumente? Dhe, akoma më me rëndësi: pse ai ose ata janë akoma të lirë?

Askush nuk u arrestua, madje as u mor në pyetje për shkelje të sekretit të atyre dokumenteve. Përkundrazi, Tribunali dhe Specialja po dalin mbi detyrën e të qenit profesionale dhe në nivelin e përfaqësimit të drejtësisë.

Burgosën, me spektakël uniformash të paautorizuara(Eulex-i është pa mandat në Kosovë), dy anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Kjo ishte drejtësi në emër të hakmarrjes personale ndaj emrave të përveçëm.

Jam për t’u dënuar secili që ka bërë krim. Por, ky krim duhet dënuar për t’u forcuar e drejta dhe sistemi gjyqësor.

Nuk jam që me vendime politike të zgjidhen problemet e drejtësisë.

As teza e drejtësisë së padrejtë dhe as reagimet kundër Hashim Thaçit, për ta lënë fajtorë për Tribunalin, duke shmangur pikturën e madhe të një padrejtësie historike që i bëjnë institucionet ndërkombëtare – Kosovës; as reagimi i pashembullt i ambasadorëve(edhe pse e kanë detyrë) nuk i ndihmojnë drejtësisë; as arroganca perandorake e mbushur me plot gabime rrugës; as Evropa e dobët, e pafuqishme, nuk janë arsye për ta dominuar me diskurs brutal një situatë historikisht të paqëndrueshme.

Po mundohem të shkruaj pse?

Misioni i Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian, i njohur si Eulex, ishte themeluar në shkurt të vitit 2008, paralelisht me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky mision ishte ftuar edhe nga vet Kosova, përmes Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Qëllimi i tij ishte t’i ndihmojë institucionet e porsaformuara të një shteti të ri, në fushën e sundimit të ligjit, derisa të njëjtat të jenë kompatibile me praktikat më të mira evropiane. Evropa do të investonte miliona euro në misionin e saj më të madh të sundimit të ligjit, në mënyrë që institucionet në Kosovë t’i arrijnë standardet e saj të drejtësisë, pasi për afër një dekadë, një gjë të tillë kishte dështuar të bënte misioni i udhëhequr Kombet e Bashkuara. Një mision i tillë nuk mund të ishte i destinuar të dështonte, sepse nuk do të dështonte vetëm ndërtimi i institucioneve të drejtësisë në Kosovë, por edhe vet investimi i Bashkimit Evropian. Dekada në vijim do të tregonte të kundërtën.

Miliona euro të investuara në rroga e benefite të gjyqtarëve e prokurorëve ndërkombëtarë nuk kishin rezultuar me asnjë “peshk të madh” të dënuar, as për krime lufte, e as për korrupsion. Ky investim, për më tepër, përfundoi në një sërë skandalesh për korrupsion brenda vet Eulex-it. Të paktën një gjyqtar dhe një prokuror i Eulex-it, kishin denoncuar publikisht këtë mision për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrave zyrtare, akuza këto të cilat u heshtën, jo me adresimin e tyre, por me ndjekjen e po atyre të cilat kishin denoncuar Eulex-in. Asnjë llogaridhënie nga misioni i madh i sundimit të ligjit, i cili kishte po këtë detyrë madhore – t’i kalonte praktikat më të mira të BE-së tek institucionet vendore. Duke dështuar t’i adresojnë skandalet e ndërlidhura me korrupsionin, qoftë edhe brenda vetvetes, Eulex nuk dha shembullin e duhur.

Mungesa e rezultateve nuk shtoi vetkritikën dhe llogaridhënien të përfolur aq shumë, në BE dhe Eulex. Përkundrazi, shtoi arrogancën dhe shpërfilljen. Për shembull, përkundër faktit që vazhdimi i mandatit të Eulex-it, që nga përfundimi i pavarësisë së mbikqyrur në vitin 2012, ishte bërë çdo dy vjet përmes Marrëveshjeve Ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, sepse për shkak të kompetencave ekzekutive të Eulex-it, vazhdimi i mandatit të tij, ngërthente në vetvete nevojën për bartje të sovranitetit në sfera të caktuara nga Republika e Kosovës, për vazhdimin e mandatit pas qershorit 2018, BE evitoi në tërësi respektimin e procedurave të institucioneve të Kosovës.

Ajo ndoqi një rrugë tjetër. Përkundër që përmbante kompetenca ekzekutive, përfshirë ato të ndërlidhura me operacione të sigurisë, vazhdimi i mandatit të Eulex-it, nuk u ratifikua asnjëherë më në Kuvendin e Kosovës. Për më keq, pas skadimit të mandatit të Eulex-it në 2020, BE e zgjati mandatin e misionit të vet në mënyrë krejtësisht të njëanshme edhe për një vit me të njëjtat kompetenca, duke u thirrur në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19, të cilat, siç është botërisht e ditur, asnjëherë nuk e bllokuan jetën institucione në Kosovë.

Në ndërkohë, dhe pasi dështimi i Eulex-it ishte evident në sferën e adresimit të krimeve të luftës e korrupsionit, në vitin 2015, u themeluan Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura në diskursin publik si Gjykata Speciale; pas një debati të ashpër politik në Kosovë, debat që vazhdon me të njëjtin intensitet edhe pesë vjet pas themelimit të saj. Gjatë krejt kësaj kohe Specialja heshti. Ky dukej të ishte specialiteti i saj. Përpos presionit dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga hija e kësaj gjykate, që rëndon mbi një shtet – për krime të dyshuara lufte; luftë mbrojtëse nga gjenocidi serb, të cilës iu bashkua i gjithë perëndimi për të shmangur një katastrofë humanitare, nuk u ndërmor asnjë veprim konkret, përpos vazhdimisht të hetimeve. Të njëjtat hetime të cilat nuk kishin rezultuar në asnjë dënim me peshë, as në dekadën kur drejtësia kosovare menaxhohej nga Unmik-u, as në dekadën në të cilën drejtësia kosovare menaxhohej e mbështetej nga Eulex.

Pas kësaj heshtje gati pesëvjeçare, Gjykata Speciale u aktivizua me shumë dramë, por fatkeqësisht, në shkelje të ligjit. Për fillim, në korrik të vitit 2020, pak ditë para se mandati saj të përfundonte dhe dy ditë para takimit të caktuar në Shtëpinë e Bardhë, si nisje e Marrëveshjes së Paqes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më në fund veproi, por jo duke publikuar një aktakuzë të konfirmuar, por një komunikatë shtypi. Një komunikatë shtypi, që në mungesë të një aktakuze të konfirmuar, dhe në kundërshtim me ligjet që duhet të zbatojë, akuzonte dy krerët kryesorë të UÇK-së për afër 100 vrasje, teksa shprehte “besimin” që të njëjtit po e minojnë punën e Gjykatës Speciale.

“Besimi” për pengim të drejtësisë nuk ishte pjesë e aktakuzës së pakonfirmuar, por një hamendje e Prokurorit të Specializuar e shprehur, si duket, për të arsyetuar ngutinë e veprimit të tij joligjor. Kjo hamendje e shprehur për pengim të drejtësisë së dy personave të cilët ndër tjerësh, vet kishin themeluar Gjykatën Speciale, u shndërrua disa javë më vonë në gabimin e radhës – në një spektakël mediatik që ngërthente akuzat kundër OVL-së e UCK-së për shpalosjen e dosjeve të Gjykatës Speciale, të cilat mund të kenë rrjedhur vetëm nga vet ajo gjykatë. Përderisa dy persona përfunduan të arrestuar dhe transferuar në Hagë, nga Gjykata Speciale ka vetëm heshtje për mënyrën se si rrodhën këto dokumente. Njëjtë siç kishte heshtur Eulex-i, që akuzuar nga vet gjyqtarët e prokurorët e vet, për keqmenaxhim të drejtësisë.

Në ndërkohë, e gjithë kjo dramë zhvillohet në një kohë, kur mandati i vet Gjykatës Speciale dhe i Eulex-it, i cili po ofron mbështetjen operacionale për të parën, është në rastin më të mirë, i kontestueshëm.

Mandati i Gjykatës Speciale përfundoi në gusht të këtij viti. Për vazhdimin e të njëjtit, në rastin më të thjeshtë duhet pëlqimi i qeverisë, ndërsa në rastin më të sigurt, ndryshimi i kushtetutës, për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale dhe për të cilin kërkohen 80 vota të deputetëve të Kosovës. Me qëllim të konfirmimit të këtij mandati, në shtator, kryetarja e Kuvendit të Kosovës dorëzoi në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetutese, të përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, propozimin për amandamentim të kushtututës, dhe i cili pas mendimit të kësaj Dhome, duhet të marrë sërish 80 votat e Kuvendit. Kjo procedurë nuk është përmbyllur, duke i lënë të kontestueshme të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata Speciale, të paktën gjatë muajve gusht dhe shtator të këtij viti. Për më tepër, vazhdimi i mandatit të Eulex-it, që nga viti 2018, nuk i është nënshtruar miratimit nga institucionet përkatëse vendore.

Në përgjigje të kërkesës të kryetares së Kuvendit tw Kosovws, mandati Gjykatës Speciale pritet që të vazhdohet nga vet ata gjyqtarë, të cilëve të ardhurat e karrierat u varen nga po ky konfirmim mandati. Prandaj, është shumë e pritshme që kjo Dhomë të konstatojw vet zgjatjen e mandatit e Gjykatës Speciale, duke evituar plotësisht nevojën për amendment kushtetutes, në mënyrë që mos të rrezikojnë dështimin eventual të votimit në Kuvend të Kosovës. Tek e fundit, kjo qasje është në përputhshmëri të plotë, me mënyrën se si i ka vazhduar mandatin BE Eulex-it që nga viti 2018 e tutje – njëanshëm.

Por, kwto veprime tw njëanshme nuk janë të nevojshme. Kosova nuk po e konteston themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo vet ka themeluar atë gjykatw. Kosova ka mirëpritur e bashkëpunuar me të gjitha institucionet ndërkombëtarë të instaluara në Kosovë që nga paslufta. Ajo ka transferuar disa herë sovranitet në institucioneve ndërkombëtare për qëllime të bashkëpunimit e zhvillimit të sundimit të ligjit. Të gjithë të akuzuarit për krime lufte, përshirë ish-kryeministra, janë dorëzuar në mënyrë vullnetare. Të gjithë janë shpallur të pafajshëm. Të tjetër kanë deklaruar se do të bashkëpunojnë ngushtësisht me Gjykatën Speciale. Krerët më të lartë institucional, përfshirë Presidentin e Republikës, kanë deklaruar se do të dorëhiqen kur dhe nëse këto aktakuza konfirmohen.

Ngutja e përnjëhershme e Gjykatës Speciale nuk është rezultat i mungesës së bashkëpunimit nga ana e Kosovës. Ajo thjesht reflekton krizën e saj, krizë kjo e përcjellë me dramë e material për shumë konspiracion, kur vet Zyra e Prokurorit vepron jashtëligjshëm dy ditë para një takimi në Uashington, jo përmes një aktakuze të konfirmuar, por përmes një komunikate për shtyp; si dhe bën lëshime procedurale, përmes akuzave e arrestimeve në një kohë kur edhe Gjykata Speciale, e aq më tepër Eulex-i, kanë mandat, në rastin më të mirë, të diskutueshëm, bazuar në sistemin juridik të Kosovës, pjesë e të cilit, të paktën në letër janë të dyja.

Jo vetëm që këto veprime përbëjnë bazë ankese për të gjithë të akuzuarit në të ardhmen, por akoma më me rëndësi, dëmtojnë rëndë jo vetëm qëllimin e Gjykatës Speciale për të vënë në vend drejtësinë lidhur me krimet e dyshuara të luftës, por edhe kredibilitetin e saj. Po aq, dëmtojnë edhe misionin e Eulex-it për të transferuar standardet me të mira evropiane në institucionet e drejtësisë kosovare.

Dëmi më i madh që i bën ky proces Kosovës, nuk është numri i të akuzuarve e eventualisht të dënuarve për krime lufte. Dëmi më i madh është mësimi që u jep institucioneve të drejtësisë kosovare e vendeve tjera në zhvillim, shembulli i një Gjykate të mirë-financuar ndërkombëtarisht, e të mbështetur nga misioni më i madh i BE-së për sundim të ligjit, që të hedhë kaq lehtësisht komunikata për shtyp me përmbajtje të jashtëligjshme e të ndërmarrë veprime procedurale në të njëjtën kohë kur ka mandat të kontestuar.

Një shembull i tillë është krejtësisht në kundërshtim me misionin e proklamuar të BE-së dhe kushtëzimin e saj të vazhdueshëm, ndër tjerash, për menaxhim më të mirë të drejtësisë, në shkëmbim të liberalizimit të vizave. Këto të fundit janë liberalizuar për të vendet e Evropës Lindore e edhe Azisë Qendrore, përderisa Kosova qëndron më mirë se të gjitha në Indeksin e Sundimit të Ligjit për vitin 2020 të Projektit të Drejtësisë Botërore. Ky standard i dyfishtë nuk është duke u aplikuar në Kosovë vetëm në raport me shtetet tjera. Fatkeqësisht është duke u aplikuar me vet shembullin që BE i jep Kosovës përmes mënyrës së operimit të Eulex-it. Aq më keq, shenjat e para të punës së Gjykatës Speciale, nuk janë premtuese për të kundërtën.

Jurdikisht, moralisht dhe historikisht pamë se ideja nuk ka asnjë bazë konkrete, përkundrazi është kundër-produktive dhe më tepër se tendencioze. Kjo sidomos edhe për shkak të faktit se kosovarët, shumica e tyre janë pro bashkëpunimit me organet ndërkombëtare në zbardhjen e anomalive që kanë mundur të kenë ndodhur gjatë luftës mbrojtëse.

Këtë gatishmëri kosovarët e kanë demonstruar që nga fillimet, madje duke shkuar pa asnjë rezistencë në Hagë. Ata duke mos pasur kompetencat në ligjësi as që kanë mundur të veprojnë vetë në kërkim të «shtëpisë së verdhë», e cila nuk bie në juridiksionin e Kosovës por Shqipërisë. UNMIK-u dhe EULEX-i e kane bërë atë punë. Ose nuk e kane bërë.

Nuk e kane bërë mirë si duket, sepse tjerët mendojnë ashtu.

Pikërisht për shkak të paaftësisë, mosefikasitetit dhe dështimit të këtij institucioni ndërkombëtar të ligjësisë, tash haraçin historik që do i nënshkruhet të gjitha gjeneratave që vijnë duhet ta paguajë Kosova. Dhe, atë, duke u vulosur nga vendi viktimë i gjenocidit në vend të krimeve eventuale. Kjo është padrejtësia më e madhe që aleatët e saj mund t’ia bëjnë Kosovës, vendit që e çliruan bashkë me ata që sot duan t’i dënojnë.

Nuk ishte precendent ndërhyrja për t’i shpëtuar kosovarët nga gjenocidi, por liria e saj dhe ideja për një tribunal janë bërë të tilla. Nuk duam me këtë të asociojmë dështimet e shumta politike e shoqërore, të cilat kosovarëve ua krijojnë përshtypjen se vendnumërojnë.

Fjala është tek raporti i ndërkombëtarëve ndaj këtij vendi, të cilin, me veprimet që bëjnë, si duket do të kenë harruar se e zaptuan apo çliruan!

Pse këto dilema?

Pse mendojmë se liria jonë duhet të jetë mozaik precedentësh që minojnë çdo praktikë historike, që përdhosin logjikën e çdo ligjësie, që vënë në pikëpyetje moralin e çdo të drejte të qenies humane për t’u mbrojtur nga e keqja dhe agresioni.

Duke e parë historinë e problemeve, duket e pakuptimtë ideja për një Tribunal të veçantë për Kosovën!