Ka shumë hipoteza rreth asaj se çfarë ka ndikuar këto ditë, në rithimin e maktheve, tërbimeve dhe kërcënimeve sipas humoreve të ciklit hënor, të ekzpozuara përmes deklaratash publike nga Ilir Meta. Pavarësisht se Kryetari i Shtetit flet live dhe shkruan e zeza mbi të bardhë, të gjithë e dijnë se kur ai dhe një pjesë e liderëve politikë shqiptarë kërcënojnë, diçka krejt tjetër nga ajo që ata i referohen, i shqetëson në thelb. Nëse Ilir Meta të thotë hap listat 100% dije se ky është një sebep dhe nuk e ka fjalën për këtë. Por shkaku real, shqetësimi real i tij është gjetkë. Nëse bën sikur është i shqetësuar për fjalën e lirë, për lirinë e medias, për demokracinë, për flamurin, për shqiponjën, për Kushtetutën dije se hallin e ka komplet tjetër kund. Madje sa më parimor hiqet, aq më banal e ka hallin. Është fiks si në atë lojën e vjetër që i bie pragut që të dëgjojë dera. E ka treguar këtë kur bëhej sikur shqetësohej dikur për dekretimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe atij të Jashtëm Gent Caka, kur në fakt qëllimi i vërtetë ishte të krijonte një ngërç artificial me qeverinë. E ka treguar kur çdekretoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, në emër të stabilitetit politik të vendit, por në thelb i gjithë qëllimi ishte për krejt të kundërtën: Për të provokuar nga lart, një krizë artificiale politike në sistem. E kështu me radhë.

Presidenti i Republikës këtë radhë ka një problem sa politik, aq edhe partiak, sa personal aq edhe ekzistencial. E cila lidhet me të ardhmen e tij politike pasi të mos jetë më në zyrën e Kreut të Shtetit. Të gjitha sondazhet e tregojnë LSI, partinë e tij politike, në nivelet më të ulëta të mbështetjes popullore të këtyre 16 viteve të ekzistencës së saj. Ilir Meta tentoi që të krijonte një forcë të re politike alternative, por deri tani nuk ia ka dalë dot. Pas ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut, të cilat edhe ai vetë i miratoi në heshtje, hapja e listave sipas formulës së ofruar nga PS nuk i shqetëson as krerët e LSI dhe as ata të PD në thelb. Sepse në fund të fundit, ajo është një formulë e njohur dhe e gjithëpranuar, në vendet që e aplikojnë listën e hapur.

Ajo që e shqetëson më shumë Ilir Metën për ekzistencën e LSI pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, është çështja e koalicioneve parazgjedhore. Sa më shumë tërbohet Presidenti, aq më i qetë duket Lulzim Basha. Pse ndodh kjo? E para, sepse koalicioni parazgjedhor me një listë unike kandidatësh për deputetë do të detyrojë PD dhe LSI që të dalin më vete. Sepse partitë e vogla bëhen në këtë rast ushunjëzat që majmen me votat e partisë së madhe, të cilat ajo do ti mbajë në lojë artificialisht. PD nuk është e gatshme të fusi 50 emra të LSI në një listë me 140 kanidatë në gjithë Shqipërinë.

E dyta, duke dalë më vete, LSI e ka aq të ulët sipas sondazheve mbështetjen sa nuk do arrijë që të mari aq deputetë sa të ketë mundësinë të luajë rolin e shumëdëshirur të kingmaker-it në politikën shqiptare.

E treta, është kjo arsyeja se përse Ilir Meta hedh në treg idenë se menjëherë pas zgjedhjeve do bëhet ministër i Brendshëm. Nga njëra anë këmbëngul se do përfundojë mandatin e Presidentit, deri në korrik 2022, e nga na tjetër i thotë kriminelëve se më 26 prill në mëngjes do drejtojë policinë e shtetit. Të gjitha këto tregojnë frikën e tij për LSI dhe karrierën personale. Ndaj alarmet që ai ngre në emër të shqiptarëve, janë të rreme. Thjeshtë po mundohet që të na e shesi hallin personal, si një hall kombëtar. (Alpenews.al)