Evis Kushi do të jetë ministrja e re e Arsimit në vendin tonë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me Ministren aktuale Besa Shahini dhe deputeten Kushi. Rama tha se Shahini largohet nga ky post për arsye personale. Besa për arsye familjare, pasi ka një familje të krijuar rishtas që e detyron të jetë më shumë në Prishtinë sesa në Tiranë, erdhi para pushimeve dhe më tha që jam në dispozicionin, mund të qëndroj deri në fund të mandatit, por duke qenë se kjo ministri është një përgjegjësi e madhe edhe politike unë mora kohë, zysha do të marrë stafetën, tha Rama, i cili e falenderoi Shahinin për kontributin e dhënë. Zgjedhjen e Kushit në krye të Arsimit, Rama e cilësoi si vendimin e duhur. “Ajo ka 7 vjet që është e angazhuar me ne për këtë betejë të përbashkët, nga Dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Elbasanit.

Kush është Evis Kushi: Evis Kushi lindi në Elbasan, më 7 tetor 1975. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim Biznesi. Gjithashtu në vitet 2003-2008 ka studiuar në Staffordshire University, Angli, PhD në Ekonomi Turizmi. Në vitin 2010 ka marrë titullin Profesor i Asociuar në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës. Në vitin 2016 ka marrë titullin Profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ka një përvojë të gjatë pune në universitet. Nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan. Në vitin akademik 2008-2009 ka qenë lektore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Ekonomik, Maqedoni. Në vitet 2012-2013 ka qenë dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan. Zonja Kushi është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013 dhe është anëtare në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Ajo është autore dhe bashkautore e botimeve të ndryshme shkencore në fushën e marketingut dhe turizmit.