Epidemia e Covid-19, e ardhur menjëherë pas tërmetit të nëntorit, natyrshëm i dha një goditje të rëndë ekonomisë shqiptare. Për shkak të mbylljes dhe rënies së konsumit, të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën mars-prill punësimi ra me 5.6% jashtë sektorit bujqësor. E përkthyer në shifra, 38 mijë e 500 persona humbën punën, ndërsa numri total i të punësuarve në vend ra nga 677 mijë në muajin shkurt, në 638 mijë e 500 në fund të prillit.
Megjithatë, ndonëse epidemia e COVID vijon të jetë prezente, masat imediate të marra nga qeveria (pagat e luftës, trefishimi i ndihmës sociale, garancia për biznesin, etj), si dhe rifillimi i aktivitetit tregtar kanë sjellë një rikuperim të pjesshëm edhe përsa i përket punësimit. Shumica dërrmuese e vendeve të punës që u humbën gjatë periudhës Mars-Prill, pra në kulmin e mbylljes, tashmë janë rikuperuar plotësisht.
Sipas listë-pagesave zyrtare të Tatimeve, në fund të muajit Qershor, numri i të punësuarve jashtë sektorit bujqësor u rrit në 662 mijë vetë nga 638 mijë vetë që ishte në Prill. Pra në vetëm dy muaj ekonomia ka rikuperuar mbi 24 mijë vende pune, që do të thotë se 24 mijë qytetarë janë rikthyer në punë dhe çdo fund muaji çojnë pagesën në shtëpinë e tyre. Kjo do të thotë se nga shifra e mëparshme e të punësuarve, mbeten ende vetëm 14 mijë qytetarë ende të papunë.