Historia e partisë së themeluar nga Ilir Meta, LSI në 6 shtatorin e vitit 2004, nuk ndryshon aspak nga historia e të gjitha partive të tjera politike të ish lindjes komuniste të Europës Lindore që kanë lindur këto 30 votet e fundit pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Edhe ajo si gjithë të tjerat, i ka ngrënë kokën të gjithë themeluesve të vet, për ta nisur historinë të shkruar prej njerëzve të saj vetë në Wikipedia, vetëm tani vonë në 2017. Lëvizja Socialiste për Integrim u shkëput nga Partia Socialiste, kur në pushtet ishte qeveria e Kryeministrit Fatos Nano dhe brezi i ri i politikanëve nuk ia kishte dalë që ta eleminonte kryetarin e parë të kësaj partie. Ilir Meta, mori me vete një pjesë të socialistëve që kishin milituar, ishin rritur dhe ishin zgjedhur në forumet e larta të kësaj partie, por edhe personalitete nga bota akademike dhe shoqëria civile.

Rreth Ilir Metës u grumbulluan që nga Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Spartak Braho, Fatos Klosi, Dritan Prifti, Lefter Koka e shumë të tjerë. Kishte shumë prej tyre që besonin vërtetë se kjo parti e re, përmes drejtimit të një politikani të ri dhe ambicioz si Ilir Meta, nuk do të bënte disa nga gabimet që kishte bërë Fatos Nano nën drejtimin e socialistëve pas 1997 sidomos, kur sollin zhgënjim në radhët e së majtës. Ilir Meta i kishte ngjitur të gjitha shkallët e karrierës përmes PS, që nga deputet disa herë, Kryetar i FRESSH, ministër, zv. Kryeministër dhe Kryeministër. Ishte periudha e 2001 kur ai ishte në krye të qeverisë kur PS fitoi zgjedhjet të cilat në një pjesë të tyre, u kentestuan. Gjë që çoi në marrëveshjen e 2002 mes Fatos Nanos dhe Sali Berishën, çka praktikisht filloi ngjitjen e PD drejt pushtetit dhe rënien e PS. Për shkak edhe të përçarjes që krijoi Ilir Meta përmes krijimit të LSI, më 2005, PS kaloi në opozitë dhe Berisha u rikthye në pushtet.

Por vitet do të kalonin shpejt dhe pothuajse të gjithë themeluesit e LSI tani janë zëvendësuar nga djem dhe vajza të reja pa kontribut dhe identitet politik. Madje, edhe brezi i dytë i politikanëve të rëndësishëm të kësaj partie si Nasip Naço, Edmond Haxhinasto, Sokol Dervishaj apo Edmond Panariti, janë spostuar dhe me siguri që nuk do të figurojnë më në listat e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Kjo metamorfozë, tregon se partia që lindi 16 vjet më parë për të qenë një alternativë politike ndryshe, nuk është gjë tjetër, thjeshtë një kopje më shumë e partive të vjetra. Një histori që i ka ndjekur prej dekadash partitë politike shqiptare, që nga PKSH që me Enver Hoxhën në krye i hëngri kokën të gjithë themeluesve të vet, e deri tani vonë tek Sali Berisha dhe Lulzim Basha në PD, që kanë larguar sistematikisht themeluesit dhe kontributorët realë të kësaj partie.

Alpenews.al