Përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik Damian Gjiknuri ka sqaruar draftin që socialistët kanë paraqitur për ndryshimet kushtetuese sa i takon reformës zgjedhore. Gjiknuri ka thënë se drafti është për lista 100 % të hapura dhe ruajtjen e kuotës gjinore, por shprehet se është i hapur dhe i gatshëm të dëgjojë të gjitha propozimet nga PD për gjërat që do të ndryshojnë. Ndër të tjera Gjiknuri sqaroi edhe vendosjen e pragut elektoral 3 % dhe se partitë garojnë me kandidatët e tyre të grupuara në koalicion.
Pjesa nga intervista në Report Tv:
Çfarë përmban në thelb ky propozim që ju keni bërë dhe që është publikuar edhe në media?
Damian Gjiknuri: Ky propozim, së pari, i adreson të gjitha kërkesat që kanë amendimet kushtetuese, në Kushtetutën e Shqipërisë. Së pari, përcakton pragjet zgjedhore kombëtare, që do të thotë që parti, subjekt, koalicion, përfiton mandatin kur ka marrë 3% të votave në shkallë kombëtare. Së dyti, përcakton koalicionet zgjedhore të cilat kanë të drejtë të garojnë edhe me parti të ndryshme të kompozuara, të vendosura në një listë të caktuar, ku secila parti përfaqësohet me kandidatët e saj, pra nuk mungon koalicioni parazgjedhor. Por PD-ja nuk ka hallin e koalicionit, se koalicioni është një definicion i qartë siç është në çdo legjislacion evropian. ata kërkojnë thjesht taktikën elektorale që ka qenë në formulimin e vjetër përpara se të ndryshonte Kushtetuta dhe para se të hapeshin listat. Iku kjo, ra, sepse u hapën listat dhe partitë tasgmë mund të hyjnë të garojnë vetëm me kandidatët e tyre, të grupuar në një koalicion. Këtë nuk ua mohojmë, është pjesë e ligjit, kështu që nuk ka asnjë lloj shqetësimi dhe nuk duhet të ketë normalisht, përkundër asaj që pretendohet dhe më duket më shumë si një shkak për të bojkotuar dhe për të krijuar një krizë artificiale. Së treti, kemi përcaktuar edhe faktin që zgjedhësi ka të drejtën e dy votave, siç e thotë edhe Kushtetuta, votën preferenciale, një votë për partinë politike dhe një votë për individin, pra për kandidatin që është në listën e partive politike. Dhe aty ka një mekanizëm, rirenditjen e listës që paraqet partia e bën zgjedhësi nëpërmjet një votimi të caktuar, ku garantohet ruajtja e kuotës, pra një grua mund të zëvendësohet vetëm nga një grua kur arrin një masë të caktuar votash dhe hap mundësinë që edhe ata që janë në fund të listës, nëse marrin një numër të caktuar votash që është një peshë mesatare elektorale pasi ti kandidon me partinë time, me dividentin e forcës sime dhe jo thjesht si një individ, ke mundësi të rirenditësh veten dhe të marrësh mandat. Ky është një model që e kanë shumë vende evropiane.
Dakord, por PD-ja me këto propozime pretendon që ju e keni shkelur marrëveshjen e arritur me opozitën jashtë parlamentit të paktën, por edhe me atë në parlament.
Damian Gjiknuri: E para, me opozitën nuk kemi pasur ndonjë marrëveshje në lidhje me koalicionet. Koalicionet u hoqën nga Kushtetuta. Përkundër asaj që u deklarua nga PD-ja, ne i kemi përfshirë në draftin tonë koalicionet, nëpërmjet një liste unike ashtu siç e ka çdo vend tjetër demokratik që ka lista të hapura me sistem proporcional. Së dyti, PD-ja nëse nuk e pëlqen draftin tonë, le të vijë me propozime konkrete, ta përmirësojë atë draft, përfshirë edhe pikëpamjet e tyre, dhe nëse mund të mos kemi dakordësi, mund të kërkojë ekspertizën e ODIHR-it. Por jo të kërkosh ekspertizë tek ODIHR-i për një gjë që akoma nuk ekziston.
PD-ja të mos vijë me kushte, por të vijë me propozime, sepse në tryezën ku kemi folur bashkë gjithmonë kemi ardhur me propozime. Madje, në tryezat e kaluara PD-ja ka ardhur me propozime. I kemi thënë që këto propozimet tuaja, pasi kemi diskutuar me njëri-tjetrin, t’i çojmë tek ODIHR-i për opinione dhe PD-ja ka qenë kundër, sidomos kur ishte çështja për depolitizimin e administratës, për çështjen e kuotave gjinore.