Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik Rudina Hajdari ka propozuar gjithashtu një draft në lidhje me hapjen e listave 100 %, ruajtjen e kuotës gjinore 30 % dhe mënyrës së shpërndarjes së mandateve.Me draftin e propozuar, Hajdari thekson se është e gatshme t’i diskutojë ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 për të punuar pa pushim deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për tua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend.

Sipas draftit të propozuar nga Hajdari, lista e kandidatëve të Partisë do të jetë 100% e hapur, jo vetëm në cilësinë e të drejtës së zgjedhësit për të shprehur thjesht pëlqimin e tij, por mbi të gjitha duke i dhënë atij 100% fuqinë që të vendosë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij në Kuvend.

“Me këtë synim, ne kemi propozuar që renditja e kandidatëve të mos bëhet më sipas rendit numerik por sipas rendit alfabetik, duke filluar nga kandidati me gërmën “A” e kështu me rradhë. Kjo mënyrë e zhvleftëson totalisht renditjen paraprake duke i dhënë vlerë vetëm renditjes përfundimtare e cila do të vendoset në bazë të votave parapëlqyese që secili prej kandidatëve ka marrë. Duke bërë këtë ndryshim, ne e zbatojmë Kushtetutën në gërmë dhe në frymë duke ia lënë zgjedhësit në dorë përzgjedhjen e përfaqësuesve të tij në Kuvend, teksa Partia Politike ka përgjegjësinë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë”, thuhet ne draft.