Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se 600 mjekë dhe 2400 infermierë u punësuan me transparencë në 2 vite.
“Rritja sinjifikative e pagave për të gjithë personelin shëndetësor do të bëhet realitet së shpejti” – Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të punimeve të qendrës shëndetësore të Rrogozhinës, së bashku me Ministren Elisa Spiropali. Manastirliu deklaroi se pavarësisht situatës së epidemisë, nuk është ndalur puna për investimet në shëndetësi dhe qendra shëndetësore 24 orëshe në Rogozhinë, është pjesë e qendrave që po rikonstruktohet në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore, një program transformues në Kujdesin Parësor që prej 3 vitesh.
“Pavarësisht situatës së epidemisë në vend, që vijon të jetë një situatë serioze dhe për të cilën puna nuk ka ndalur për asnjë moment, puna nuk ka ndalur edhe për të vijiar investimet në shëndetësi, siç e kemi premtuar dhe po e bëjmë realitet për qytetarët. 40 qendra shëndetësore dhe ambulanca rehabilituam në 2 vite vetëm në qarkun e Tiranës”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se nëpërmjet dy instrumentave portalit ‘Infermierë për Shqipërinë’ dhe ‘Mjekë për Shqipërinë’ ka vijuar pa u ndalur edhe fuqizimi i burimeve njerëzore në dy vitet e fundit, në bazë meritokracisë dhe transparencës.
“Janë më shumë se 600 mjekë dhe rreth 2400 infermierë të punësuar me meritë dhe transparencë në këto dy vite”, tha Manastirliu. Qendra shëndetësore e Rrogozhinës, e cila ofron shërbim 24 orë, do t’i shërbejë me kushte dhe standarde bashkëkohore 14 mijë banorëve të kësaj zone. Vijon programi i 300 qendrave shëndetësore nga veriu në jug të vendit.