Kryeministri Rama ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me nxënës dhe mësues të shkollës “Leonik Tomeo” në Durrës për mënyrat se si do të zhvillohet mësimi këtë sezon, i kombinuar mes metodës tradicionale të mësimit në klasa dhe metodave online të mësimdhënies. Kryeministri u ndal te masat e marra në këtë fillim viti shkollor për situatën me covid19 në të gjitha shkollat e vendit, duke u bërë thirrje të rinjve që të zbatojnë këto masa, si e vetmja mënyrë për të mos patur pasoja të pallogaritshme me transmetimin e virusit.

“Unë besoj që nëse të gjithë do të jenë në lartësinë e duhur, gjasat që nga kjo hapje e shkollave ne të kemi një goditje më shumë se sa e parashikuara, janë zero. Nëse jo, goditja do të jetë e fortë. Sic ka ndodhur në të gjitha vendet, nuk ka se si të mos ndodhë në Shqipëri që me hapjen e shkollave, numrat do rritet se sidoqoftë, edhe sikur të jenë robotë, mjaftojnë disa lëvizje që janë të pashmangshme nganjëherë, që transmetimi të ndodhi”, tha Rama.

“Virusi nuk ikën vetë, do kërkojë kohë derisa të dobësohet. Patjetër do kërkojë kohën e vetë dhe vaksina, kështu që sipas të gjitha gjasave të paktën ky vit shkollor, do jetë në këto kushte. E kuptoj shumë mirë se sa e vështirë është, por kjo është një sfidë dhe sfidat janë për njerëzit. Alternativa tjetër është ta humbasësh sfidën dhe pastaj pasojat janë të pallogaritshme. Fatmirësisht nuk kemi numra katastrofikë, kemi një trend të stabilizuar por sërish ne kemi fatalitete. Numri i fataliteteve nuk është më I madh se sa ka qënë vitin e shkuar në aspektin e goditjeve vdekjeprurëse nga sëmundjet por kjo nuk do të thotë asgjë në rast se largqoftë, ky rrezik të vjen në shtëpi”, përfundoi kryeministri. Kryeministri theksoi gjithashtu se kanali televiziv “RTSH Shkolla” mundëson tashmë ndjekien e leksioneve të mësuesve më të mirë të Shqipërisë që do t’ju vlejnë nxënësve edhe për të krahasuar, pasuruar njohurinë e tyre mbi një lëndë të caktuar.