Ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor do të kalojnë për shqyrtim javën e ardhshme në Kuvend. Ky vendim u mor sot, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku u vendos se draftet për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore të shqyrtohen nga Komisioni i Ligjeve në seancën e datës 1 tetor, pra të futen në rend dite.

Kujtojmë se afati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për të reflektuar këto ndryshime është deri më 30 shtator, ndërsa në Këshillin Politik s’ka ende konsensus mes palëve.

Mazhoranca dhe opozita parlamentare kanë dorëzuar nga një draft, kurse Gjiknuri ka paralajmëruar se me apo pa opozitën jashtëparlamentare, brenda afatit ndryshimet kushtetuese do të reflektohen në Kodin Zgjedhor.

Nga ana e saj, Opozita e Bashkuar dorëzoi një kërkesë zyrtare me 5 çështje për të cilat nuk ka dakordësi në Këshilli Politik, që t’i drejohen ODIHR për ekspertizë. Kjo u refuzua nga mazhoranca, e cila përmes Gjiknurit, u shpreh se duhen drafte konkrete dhe se “retorikat politike” nuk mund t’i dërgohen ODIHR.

Duke iu kthyer Konferencës së Kryetarëve, u miratua gjatë mbledhjes kalendari tre-javor të punimeve për periudhën 28 shtator-16 tetor. U vendos po ashtu, që seancat plenare do të vazhdojnë të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve, duke respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.