Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka financuar deri më tani 114 projekte fermash organike duke shndërruar rreth 115 ha tokë në fermë organike, ndërkohë që ka në proces financimi 61 aplikime me 220 ha tokë frutore të tjera, nëpërmjet skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi, 2020.
Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca shprehet se, Bashkimi Europian ka vendosur një synim ambicioz, që deri në vitin 2030 rreth 25% e tokës bujqësore në territorin e saj të kultivohet organikisht. Vëmendja e vendeve të BE-së është shtuar ndaj certifikimit dhe shndërrimit të fermave në organike dhe si pasojë e kërkesës së lartë nga konsumatorët për produkte organike.
“Shqipëria duke dashur të jetë projektuese e kësaj qasjeje dhe duke shfrytëzuar potencialet e favorshme për zhvillimin e këtij sektori, ka përqëndruar vëmendjen në këtë drejtim”- thotë Krifca. Ndërsa thekson faktin se, njëkohësisht subvencionohet zhvillimi i bujqësisë organike nëpërmjet mbështetjes së biznesit për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës duke i dhënë nxitje agroturizmit.