“Pas Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Vlorës, Korçës, po mbyllet edhe për Beratin, Kuçovën e Urën Vajgurore gangrena e tmerrshme e plehrave që prej dekadash kutërbojnë dhe helmojnë njerëzit, tokën, ujrat”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i cili ishte në sheshdepozitimin e mbetjeve urbane në qarkun e Beratit.
“7 vjet më parë Shqipëria ishte turpi i botës në këtë drejtim dhe sot po normalizohet falë programit tonë të Rilindjes Mjedisore, ku zhdukja e fushave mesjetare të plehrave dhe zëvendësimi i tyre me fusha sanitare e me parqe, vazhdon papushim”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “faktikisht ne jemi sot në kushtet e një transformimi rrënjësor, pasi 6-7 vite më parë situata e mbetjeve ishte jashtë kontrollit në gjithë territorin”.
“Sot ne kemi situatën plotësisht të transformuar në Tiranë ku falë Partneritetit Publik Privat Sharra është kthyer dhe do të vazhdojë të marri formën gjithmonë e më të plotë të një parku. Durrësi, gangrena e Porto Romanos po mbyllet dhe së shpejti do të kemi zgjidhje përfundimtare për pistën e përpunimit, që me gjasë mund të jetë Sharra, por kjo mbetet për tu gjukuar. Fierin e kemi përfundimisht të zgjidhur. Elbasanin e kemi të zgjidhur, Vlora është në proces investimi dhe faktikisht edhe në Vlorë është një problem i zgjidhur. Korça dhe bashkia e Maliqit është një problem i zgjidhur kemi Bushatin që ka qenë por aty situata ishte bllokuar. Dhe me Beratin faktikisht mbyllet një qerthull ku ndotja merrte dhenë”, tha Rama.
Kryeministri shprehu besimin se po mbyllet nnjë plagë prej dekadash. “Sigurisht kërkon kohën dhe durimin e vetë, por durimi është malli më i vështirë për t’u gjetur në këtë treg, por ne nuk na mungon”, tha Rama. Ai theksoi se “e mira e madhe e këtyre projekteve është që këto jo vetëm që mbyllin përfundimisht shtegun e ndotjes por krijojnë mjedis cilësor aty ku punohet, pikërisht se bëhet transformimi i këtyre platformave të ndotjes në platforma të gjelbra dhe parqe”.
“Edhe këtu është e rëndësishme të kuptohet se fatikisht investimi në këto platforma është një e mirë, jo një e keqe për atë komunitet që ndodhet pranë tyre, në kushtet kur janë një burim helmesh dhe sëmundjesh që ndikon drejtpërdrejt shëndetin prej dekadash”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi mbështetjen e qeverisë zvicerane në këtë projekt shumë domethënës. “Investimet e qeverisë zvicerane janë investime për standarde, nuk janë thjesht para, por janë dije, janë garanci, janë pasuri. Është një bashkëpunim që ka nisur prej disa vitesh, por sigurisht që puna nuk fillon kur hyjnë fadromat dhe bëhet e dukshme, por kur bëhet projekti, kur ndërtohet skema e financimit dhe përcaktohet kontraktori që do vazhdojë punën. Sot jemi jo larg përfundimit të kësaj faze”, tha Rama. Kryeministri theksoi se në Berat viti tjetër fillon me një situatë krejt tjetër në këtë drejtim. Po ashtu Rama tha se “ne po përgatitemi edhe për një program tjetër dhe kemi diskutuar në parim përpara ca kohësh për të stimuluar më tutje ripërtëritjen e zonave muzeale”.
“Këtu në Berat kemi 3 zona dhe ne do vendosim shumën financiare që shteti ka për banorët e shtëpive. Sigurisht që jo të gjithë i kanë mundësitë financiare dhe ne do të mbështesim sipas disa kriteresh bashkinë e Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës, si fillim zonat e definuara muzeale, monumentet e kulturës dhe familjet që nuk i kanë mundësitë të gjitha për të bërë rimëkëmbjen e shtëpisë. Në këtë pikë besoj se do të mund të formulojmë edhe një skemë bashkëpunimi me ju dhe me organizata të tjera që më shumë do të jetë jo në aspektin e financimit direkt, se këtë do ta mbulojmë vetë, por në aspektin e njohjes e dijes. Siç po ndodh këtu ku përveç financimit është edhe pjesa tjetër, janë kapacietet e burimeve njerëzore për menaxhimin”, tha Rama, duke iu drejtuar përfaqësuesit zviceran. Ndërkohë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal te projekti i venddepozitimit të mbetjeve duke theksuar se “ajo që kërkohet është largimi i mbetjeve urbane nga shtratet e lumenjve”. “Ky investim shumë i plotë pengon shfaqjen e këtij fenomeni derisa të shkohet në një landfilld të plotë për qarkun e Beratit që do ta zgjidhë plotësisht këtë shqetësim”, tha ai.
?? Berat – Pas Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Vlorës, Korçës, po mbyllet edhe për Beratin, Kuçovën e Urën Vajgurore gangrena e tmerrshme e plehrave që prej dekadash kutërbojnë dhe helmojnë njerëzit, tokën, ujrat? 7 vjet më parë Shqipëria ishte turpi i botës në këtë drejtim dhe sot po normalizohet falë programit tonë të Rilindjes Mjedisore, ku zhdukja e fushave mesjetare të plehrave dhe zëvendësimi i tyre me fusha sanitare e me parqe, vazhdon papushim… #BeratiQëDuam❤️#ShqipërinëQëDuam??☀️
Gepostet von Edi Rama am Montag, 21. September 2020