Më 14 shtator të gjithë ata që ëndërrojnë të jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mund të aplikojnë për Lotarinë Amerikane. Lajmi për nisjen e aplikimeve është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka sqaruar sot se afati i fundit për të aplikuar është 30 shtatori. Në një njoftim zyrtar, Ambasada ka dhënë detaje edhe për aplikimet për vizë punë apo familjare. Bazuar në udhëzimet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë do të rinisë procedimin e aplikimeve për Lotarinë Amerikane të hënën, më 14 shtator.
“Ju lutemi, kini parasysh që Programi i Lotarisë Amerikane 2020 skadon më 30 shtator 2020. Departamenti i Shtetit ka përcaktuar përparësitë në planifikimin e intervistave, bazuar në vendimin e fundit të gjyqit (Gomez kundër Trump) dhe standardeve, të cilat Departamenti i Shtetit shpreson të rezultojnë në lëshimin në kohë të vizave për aplikantët e përzgjedhur”, thotë Ambasada në njoftimin e saj.
Presidenti Donald Trump synon prej vitesh t’i japë fund njëherë e përgjithmonë Lotarisë Amerikane, një vendim që do të shuante ëndrrën amerikane të shumë qytetarëve shqiptarë, por pas një përplasje me demokratët, programi ka vazhduar edhe këtë vit. Falë Lotarisë amerikane, qeveria amerikane pajis me karta jeshile 50,000 qytetarë nga vende me përqindje të ulëta emigrantësh në Shtetet e Bashkuara, duke u ofruar kështu mundësinë edhe shumë shqiptarëve që të emigrojnë drejt SHBA-ve.
Departamenti i Shtetit bën çdo vit një kontroll të të përzgjedhurve përpara se të publikojë listën e fituesve. Pjesëmarrësit duhet të kenë arsim të mesëm ose të kenë punuar për dy vjet në një punë të kualifikuar. Emrat e tyre verifikohen dhe kontrollohen nga agjentët e anti-terrorizmit. Secili nga 50,000 fituesit e Lotarisë Amerikane çdo vit intervistohet në një Ambasadë Amerikane para se të lejohet të hyjë në SHBA.
Por Trump thotë se programi paraqet kërcënime që lidhen me terrorizmin, duke e konsideruar këtë pretendim si një arsye për t’i dhënë fund Lotarisë, por edhe të ashtuquajtur “emigracioni zinxhir, i cili u lejon qytetarëve të marrin të afërmit e afërt për të emigruar në SHBA.
Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane në vitin 2019, duke u renditur kështu të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për këtë lotari. Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptareve që aplikuan për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord prej 350 mijë, sipas statistikave të Departamentit amerikan të Shtetit . Në Europë vendet me përqindjen më të lartë që kishin aplikuar në program ishin vendet e lindjes, ku Shqipëria mbante rekordin. Sipas të dhënave të Pee Research Center, pas Shqipërisë renditet Moldavia me 11% të popullsisë dhe Armenia me 9%.
Përfituesit e vizave përzgjidhen rastësisht dhe mund të hyjnë në SHBA afërsisht dy vjet pas aplikimit të tyre fillestar. Për shembull, fituesit e lotarisë që aplikuan në vitin kalendarik 2018 kanë kohë deri më 30 shtator 2020, për të marrë vizën e diversitetit. Megjithatë, jo të gjithë banorët e shteteve të botës mund të aplikojnë. Për shembull, banorët e Meksikës, Kinës dhe Indisë nuk mund të aplikojnë për shkak të numrit të madh të emigrantëve që kanë dërguar në SHBA.