Nga Mentor Kikia
SHBA u ngrit si supërfuqi ekonomike botërore mbi djersën dhe gjakun e skllevërve afrikanë. Një nga padrejtësitë më të mëdha sociale të epokës moderne të njerëzimit. Por ky vend, çuditërisht, u fut në një luftë civile, që e lau me gjakun e 1/3-tës së popullsisë së bardhë atë tokë të mëkatit të madh, duke e hequr skllavërinë e duke u bërë flamuri i të drejtave të njeriut. Të drejta, që kur preken edhe sot, e trondin këtë vend.
Shqipëria është një vend që, edhe pse i pazhvilluar, është ngritur mbi një pabarazi të madhe sociale. Regjimi komunist detyroi të punojnë mijëra njerëz si skllevër, vetëm pse ishin kundërshtarë të tij. U thanë këneta, u ndërtuan rrugë, hekurudha, miniera, e kanale vaditëse. Shumë njerëz vdiqën e u groposën aty ku dhanë shpirt.
Në fund, kur regjimi ra, ata që punuan për regjimin u konvertuan në politikanë modernë dhe sipërmarrës, duke pronësuar pasurisë kombëtare. Ndërsa ata që e ngritën këtë pasuri, vazhdojnë të presin radhën për të marrë këstin e dëmshpërblimit, një lëmoshë e shëmtuar e “mirënjohjes” së shtetit.
Nuk pati as drejtësi penale, as drejtësi shoqërore. Ky vend vazhdon të mbajë ende nën këmbë padrejtësi të mëdha. Ata që bënë krimet, nuk paguan, por u pasuruan me gjakun e skllevërve.
A është kjo një arsye që ne vazhdojmë të ndëshkohemi, duke u zvarritur si krimi në një tokë të përzhitur?
Unë nuk besoj shumë, që “Dikush” atje lart i drejton ca punë këtu në tokë, por mendoj se mëkatet e mëdha, me përmasa historike, duan “kurbane” të mëdha që të lahen.
P.S: Foto nga puna e të dënuarve politikë për hapjen e kanalit vaditës Peqin- Kavajë. I cili gjithësesi sot nuk funksionon.