Ky vit i ri shkollor do të jetë i pazakontë. Do të mungojnë përqafimet pas shkëputjes disamujore, në vend të luleve do të ketë dezinfektantë dhe veshjes së nxënësve dhe mësuesve i shtohet një aksesor i ri, maska. Që në fillim të këtij muaji, Ministria e Shëndetësisë dha lajmin se mbajtja e maskës do të jetë e detyruar të mbahet nga mësuesit dhe nxënësit duke filluar nga klasa e 6-të.
Por edhe pse një maskë mund të ketë një kosto që një pjesë mund ta konsiderojë modeste, duhet thënë që jo të gjitha familjet kanë mundësi ta blejnë atë, aq më tepër që nevojitet për çdo ditë. Disa vende kanë aplikuar politika lehtësuese duke e ofruar falas për kategoritë në nevojë, por a do ketë një nismë të ngjashme edhe në vendin tonë?
Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se vendimi për këtë i takon Ministrisë së Arsimit, por gjykon që siç u ofrohet falas personelit shëndetësor, t’u ofrohet edhe nxënësve.
“Këto janë vendime që i takojnë Ministrisë së Arsimit. Ne kemi kërkuar që në institucionet arsimore të mbahet maska nga mësuesit dhe nxënësit. Por, në gjykimin tim, maska, siç i jepet personelit shëndetësor, duhet t’u ofrohet edhe nxënësve, por kjo, siç edhe thashë, varet nga Ministria e Arsimit, që është edhe institucioni përgjegjës.
E ritheksoj që maskat duhet të jenë të pranishme gjatë procesit mësimor dhe duhet të krijohen të gjitha mundësitë për ta garantuar këtë. Kurrsesi nuk duhet që pamundësia financiare të pengojë në marrjen dhe mbajtjen e maskës”, tha doktoresha.
TESTIMI I MËSUESVE
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Italia ka marrë vendimin për të testuar 500 mijë personel arsimore, nga ku 13 mijë prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Të hënën, edhe në vendin tonë institucionet arsimore hapin dyert. Por a është menduar nga Komiteti i Ekspertëve që të zhvillohen teste në radhët e mësuesve para fillimit të shkollës? Bino thotë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se për të pasur një panoramë të saktë duhet të kryhen teste çdo javë.
“Nëse testohesh një herë nga COVID-19 nuk do të thotë se je i përjashtuar. Testet duhet të kryhen çdo javë apo dy javë për të pasur një pasqyrë të saktë të situatës. Nëse testet janë zhvilluar në Itali në këtë fazë, kjo mund t’u shërbejë ekspertëve për të kuptuar se në çfarë pike janë me infeksionin. Testimi i personelit çdo ditë nuk është zgjidhje.
Zgjidhja është respektimi i masave anti-Covid. Por duhet të them po ashtu që nga ekipet tona janë testuar edhe mësues, kemi raste në Gjirokastër, Tiranë e Kukës, pra, atje ku ka pasur dyshime në mënyrë që të kemi siguri për shkollat. Ne e kemi theksuar edhe në udhëzuesin e përbashkët që kemi hartuar me Ministrinë e Arsimit që mësuesit dhe nxënësit kanë prioritet në testim si edhe janë përcaktuar të gjithë skenarët sesi do të veprohet nëse do të ketë një nxënës, prind apo mësues të infektuar”.
VENDIMI PËR RIMBYLLJE
Hapja e shkollave përbën një kërcënim madhor për përhapjen e infeksionit. Megjithatë, ekspertët kanë marrë në konsideratë çdo skenar të mundshëm, si edhe mënyrën sesi do të menaxhohet. Doktoresha thotë se vendimi për mbylljen e një shkolle do të merret pas vlerësimit të riskut dhe nëse konstatohet që jemi përpara një transmetimi të përgjithshëm më disa klasa ndërmjet mësuesve dhe nxënësve.
“Kur bën një hetim epidemiologjik qëllimi kryesor është të identifikosh dhe të izolosh kontaktin e ngushtë duke mbyllur edhe klasën. Por nëse ke disa vatra në shkollë, atëherë mund të shkohet deri edhe në mbylljen e shkollës. Por qëllimi ynë nuk është që të mbyllim shkollën menjëherë por të sigurohet dhe garantohet një ambient i sigurt për vijimin e procesit mësimor.
Shkolla mbyllet pas vlerësimit të riskut dhe atëherë kur konstatohet se ka transmetim në disa klasa ndërmjet mësuesve dhe nxënësve që quhet edhe transmetim i përgjithshëm. Në udhëzim, ne kemi përcaktuar që çdo ditë të raportohet mbi situatën, nëse ka dyshime apo raste. Është një mekanizëm i ngritur nga ana jonë, që mendoj se do të japë rezultat për të garantuar një ambient të sigurt për nxënësit dhe mësuesit”, vë në dukje shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP.
RIMBURSIMI I TAMPONËVE
E pyetur edhe mbi propozimin e disa ekspertëve për rimbursimin e plotë të vlerës së tamponëve që kryhen nga institucionet private në vend, doktoresha dha këtë përgjigje:
“Askush nuk është i privuar nga kryerja e tamponëve në shtet. Por nëse ka nga ata që duan ta bëjnë në privat, janë të lirë ta bëjnë. Testi ka gjasë të dalë pozitivë nëse je dy ditë para fillimit të shenjave dhe nëse je dy apo tri ditë pas fillimit të shenjave.
Në këto raste pozitiviteti është 60 deri 70 për qind, për pasojë edhe shkalla e gabimit më e ulët. Pas dhe para kësaj periudhe pozitiviteti reduktohet në 20 për qind. Pra, e kryen testet dhe del negativ, por ndërkohë mund të jesh i infektuar. Në çdo rast ne përpiqemi që të maksimalizojmë pozitivitetin që të jemi të saktë në atë që themi”. /Panorama