Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 127 raste të reja me koronavirus. Gjithashtu, në të dy spitalet dedikuar Covid-19 në Tiranë kanë ndërruar jetë katër qytetarë.
Mirela Cami
Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të higjienës, distancimit dhe vendosjes së maskës. Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ju informojme mbi situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit. Janë kryer 820 testime dhe janë konfirmuar 127 të prekur me virusin Sars-Cov2 në këto bashki :
75 raste në Tiranë, 8 në Korçë, nga 5 raste në Fier, Gramsh, nga 4 raste në Lushnje, Berat, nga 3 raste në Shkodër, Kavajë, Mirditë, nga 2 raste në Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Kuçovë, nga 1 rast në Durrës, Devoll, Has, Vlorë, Pukë, Librazhd, Dibër, Roskovec, Patos.
Në 24 orët e fundit 103 qytetarë e kanë fituar betejën me Covid19 duke e çuar numrin e të shëruarvë në 7732 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 190 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët vetëm 5 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 65 vjeçar nga Vlora dhe 3 qytetarë nga Tirana : një 59 vjeçar, një 75 vjeçar, një 76 vjeçar, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.
Në çdo rast kur keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun e familjes, të merrni këshillim psikologjik si dhe të informoheni saktë mbi COVID-19.