Krahas pasqyrimit të situatës në vend brenda harkut kohor të 24 orëve, ku për fat të keq gjashtë pacientë humbën betejën me koronavirusin (në mesin e tyre një infermier i Traumës) si dhe u regjistruan 135 raste të reja, Ministria e Shëndetësisë përsëriti sërish thirrjen për kujdes.

“Nisur nga fakti se një pjesë e rasteve pozitive lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore, rikujtojmë qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid-19”, u shpreh Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.

Më tej Dervishi deklaroi:

“Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 189 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 12 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Gjithashtu në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 17 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Betejën me virusin e rrezikshëm nuk e ka fituar dot një 63-vjeçar nga Tirana, i cili ka ushtruar detyrën e infermierit në spitalin e Traumës dhe vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese, me gjithë përpjekjet maksimale të mjekeve dhe infermiereve. I shprehim ngushëllime familjarëve dhe kolegëve për këtë humbje jo vetëm për familjen por edhe për sistemin tonë shëndetësor. Betejën me këtë virus të rrezikshëm nuk e kanë fituar edhe një 64-vjeçar nga Mati, një 71-vjeçare nga Divjaka dhe 3 qytetarë nga Tirana : një 77-vjeçar ; një 72-vjeçare dhe një 80-vjeçare. I shprehim ngushëllimet familjarëve”.