Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një dalje në emisionin ‘Opionin’ në TV Klan, ka deklaruar se prioritet për hetimin epidemiologjik do të jenë dhe nxënesit dhe mësuesit. “Kemi prioritet testimin e nxënësve dhe mësuesve ashtu si mjekët dhe infermierët, pra janë grupe risku dhe janë në prioritenin e testimeve tona. Koordinatorët e çdo shkolle sinjalizojnë strukturat shëndetësore të cilat janë në gatishmëri. Nëse zbatojmë rregulla kemi një risk të moderuar”, tha Manastirliu
Manastirliu tha se shkollat duhet të zbatojnë udhëzimin për mbrojtjen nga COVID-19 dhe të sinjalizojnë në çdo kohë koordinatorin për COVID-19 për problematikat që mund të hasin. “Përgjegjsia e institucioneve arsimore, është të zbatojnë udhëzuesi, një koordinator do jetë në çdo shkollë dhe do të sinjalizojnë strukturat shëndetësore për çdo rast, ISHSH do të jetë në terren ku verifikon nëse masat zbatohen masat anti-COVID” tha Manastirliu.
Manastirliu ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për planin e vjeshtë- dimrit për forcimin e kapaciteteve në spitale duke u përgatitur për çdo skenar. “Kemi marr masat për forcimin e kapaciteteve në spitale për t’u përgatitur nëse do të kemi raste të shtuara. Kemi rritur me 30% grupet e terrenit ndërkohë që kemi vijuar edhe me forcimin e njësive të terapisë intensive”, tha Manastirliu. Duke u shprehur se masat e distancimit social, masat e higjenës dhe vendosja e maskave do të vijojnë në çdo institucion deri në daljen e një vaksine, Manastirliu ka bërë apel për zbatimin me përpikmëri të ketyre masave me qëllim pasjen e një risku të moderuar.