Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “në pandemi dhe në tërmet opozita përdori fatkeqësinë për politikë”.

Balla përshëndeti sot aktivitetin e organizuar tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës, në çelje të garës së FRESSH VOICE.

Ai tha se “nuk ka burim më të madh energjie se sa rinia e Tiranës”. “Jam kaq shumë krenar për secilin prej jush, e po kaq krenar jam edhe për Partinë Socialiste, si partia që u ka dhënë dhe u jep më shumë mundësi se kushdo tjetër të rinjve shqiptarë. Tirana, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, ka shumë nevojë për ju, për idetë dhe punën tuaj”, tha Balla duke iu drejtuar të rinjve.

FRESSH Voice, sipas tij, nuk është thjesht organizim partiak. “”FRESSH është shkollë. E kam bërë me Ilirin dhe Monikën këtë shkollë por ata e tradhtuan. Unë vazhdova dhe jam këtu bashkë me ju sot”, tha Balla, ndërsa vlerësoi kontributin e të rinjve të FRESSH në shpërndarjen e ndihmave në situatën e izolimit nga pandemia.

Ai theksoi po ashtu se FRESSH nuk është një organizatë politike, por është urë lidhëse mes PS-së dhe çdo të riu dhe të reje.

“Gjatë këtyre 7 muajve që në Shqipëri kemi pasur luftën me pandeminë, kemi pasur edhe një betejë të pandershme me panikun që mundohen të përhapin politikanë tipikë të së keqes. Në pandemi dhe në tërmet opozita përdori fatkeqësinë për politikë. I vetmi politikan që ka shtuar dy vila është Luli. Ja ka marrë një biznesmeni. Ka të drejtë Jozefina kur thotë se ‘Luli gënjen edhe kur e pyet sa është ora’. Dhe ajo e njeh mirë”, tha Balla.

Balla tha se “kulmi i gjithçkaje lidhet me historinë e marrëveshjes së detit me Greqinë. “Është kulmi të dëgjosh Ilirin, Saliun dhe Lulin që janë shpallur me vendim gjykate fajtor për një marrëveshje antishqiptare dhe antikushtetuese. Të paktën këta të 3 të mos flasin për këtë çështje, iu është ndaluar me vendim gjykate”, tha Balla.

Ai tha se, PS ka një mision tepër historik, pasi ne jemi e vetmja parti që kemi një kontribut konseguent qoftë kur shqiptarët na kanë besuar të qeverisim, por edhe kur kemi qenë në opozitë, sepse kemi qenë në opozitë kur kemi kundërshtuar dhe fituar në gjykatë çështjen e detit.

“PS ka kontribut në konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri. PS bën shtet të tjerët e shkatërrojnë shtetin”, tha Balla, ndërsa shtoi se “dobësia e thellë e kundërshtarit nuk duhet të na vetëkënaqë për asnjë moment”.

Balla siguroi se zbatimi i Paktit për Universitetin po vazhdon dhe buxheti përkatës nuk është prekur edhe në kushtet e pandemisë. “Gjithçka jemi zotuar po zbatohet me shpejtësi. Edhe pak godina universitare na kanë mbetur, po vijojnë investime të rëndësishme”, tha Balla.