Nesër nis viti i ri shkollor, ku pas mësimit online dhe pushimeve verore, shkollat rihapin dyert për të pritur nxënësit, por këtë herë nën masa të rrepta higjieno- sanitare dhe distancimi social, kushte të diktuara nga pandemia e COVID-19.
Me nisjen e shkollave Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë një apel kundrejt të gjithë mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikëri të masave që frenojnë përhapjen e COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë apelon për respektimin e distancimit social, vendosjen e maskave ose barrierave mbrojtëse, larjen ose dezinfektimin e duarve, ajrosjen e ambienteve, matjen e temperaturës së nxënësve çdo ditë. Të gjitha institucionet arsimore që fillojnë ditën e nesërme mësimin duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar. Ndërsa më herët ministria e Arsimit ka nxjerrë protokollin e sigurisë që duhet zbatuar për hapjen e shkollave dhe se si do të veprojnë në rast se ka nxënës apo mësues të prekur nga COVID-19.