Në selinë e Kryeministrisë, Ministrja Manastirliu dhe Drejtori i QSUT, Enkelejd Joti, janë duke zhvilluar një takim me përfaqësinë e sindikatës së mjekëve, për të diskutuar në lidhje me kërkesat që këta të parafundit kanë parashtruar një ditë më parë. Siç ndodh shpesh në Shqipëri, edhe këtë here ka patur një rrëmujë informacioni, e cila si gjithmonë buron nga përtesa e mediave për të verifikuar ato çfarë u thuhet kur u zgjasin mikrofonin “protagonistëve”. Fjala vjen, dje ka nisur të qarkullojë një lajm që Kryeministri Rama “ka thirrur mjekët në takim”. Askush nuk e mori mundimin ta verifikojë vërtetësinë e këtij informacioni, por me metodën e copy-paste, të gjithë nxituan që ta botojnë sa më shpejt “zbulimin”.

Sot, mjekët kanë bërë një protestë 30 minutëshe në oborrin e QSUT (aq sa duhej për të krijuar lajmin), edhe pse në ndërkohë përfaqësuesit e tyre ndodheshin në Kryeministri, dhe po takoheshin me Ministren dhe Drejtorin e QSUT. Madje, një kirurg, përpara mikrofonëve të një medie deklaroi se “As Rama dhe as Manastirliu nuk i ka pritur përfaqësuesit, ky ishte mashtrim!”. Edhe në këtë rast, edhe pse tashmë gazetarët ishin të informuar mbi faktin që Ministrja Manastirliu dhe Drejtori i QSUT, Joti, po diskutonin me përfaqësuesit e mjekëve mbi kërkesat e tyre, askush nuk mori mundimin që të sqarojë lexuesit mbi të vërtetën, por vetëm i bëri vend si kryelajm dhe rriti gërmat e titujve që flisnin për “mashtrim ndaj sindikatës”, dhe “mungesë të Ramës dhe Manastirliut në takim”.

Po e vërteta? E vërteta është që, mjekët kanë bërë një ankesë në portalin e bashkëqeverisjes. Sipas rregullave të vendosura tashmë, janë thirrur në Kryeministri për t’u sqaruar mbi ankesën e tyre. Në Kryeministri takimi është thirrur nga zyra e bashkëqeverisjes dhe në takim i ka pritur Ministrja e Shëndetësisë, Drejtori i QSUT, drejtuesja e zyres se bashkeqeverisjes dhe drejtoresha e politikave ne MSHMS. Në takim, kanë diskutuar në lidhje me 4 kërkesat e mjekëve, ndër të cilat ajo më e rëndësishmja, është e ezauruar tashmë pasi Kryeministri Rama, jo më larg se 3 ditë më parë ka shpallur rritjen e pagave të tyre me 40%.