Kanë nisur sot në Vlorë punimet për ndërtimin e një parku të ri qendror në Lungomare, i integruar mes qytetit dhe bregdetit.
Investimi sipas Kryeministrit, është një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit, që po bëhet përditë e më tërheqës dhe do të kthehet vit pas viti në një nga motorët më të fuqishëm të industrisë së turizmit shqiptar, duke rritur më tej punësimin, të ardhurat dhe vlerën e pasurive të paluajtshme të zonës.
Ky projekt do të nxjerrë edhe më në pah shtëpinë e pavarësisë në Vlorë. Për këte arsye, Kryeministri preferoi ta quajë nga Vlora si Parku i Shtëpisë së Pavarësisë.
“Projekti është pjesë e zinxhirit të projekteve që i kalojnë përmasat e ngushta të një qyteti kur vjen puna te aspektet urbanistike. Njësoj si Lungomarja, njësoj si sheshi Skënderbej, do t’i kalojë kufijtë e vendit tonë, dhe pse jo do të jetë pjesë e konkurseve të mëdha ndërkombëtare sic ishte Lungomare. Më vjen mirë që me këtë projekt rrisim dhe përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe lidhim gjithë aksin kryesor me këmbë me buzën e detit dhe me atë që unë shpresoj që do të jetë porti i jahteve të Vlorës”, tha Rama.
Rama sqaroi gjithashtu edhe për fazën ku ndodhet procesi i ndërtimit të aeorportit të Vlorës.
“Procesi për ndertimin e aeroportit u ndërpre nga karantina e përgjithshme dhe te gjitha kompanite e interesuara bënë kërkesa në drejtimin tonë që të shtyhen proceset. Ne e ngrimë aty ku ishte dhe në javën e parë të tetorit do të rihapet dhe janë vetem pak ditë ende që ne të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur kontratën”, tha Rama.
Gjithashtu në Vlorë janë programuar për t’u kryer investimet për rikualifikimin e sheshit të flamurit, rikualifikimi i vijës bregdetare Vlorë – Radhimë- Orikum, rikualifikimi i zonës së kullës së sahatit, ndërtimi i tunelit të Llogarasë, etj.