Grupi i përbashkët i ngritur pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka nisur punën për hartimin e strategjisë për zhvillimin e tregut të kapitaleve.
Grupi i punës do të analizojë situatën aktuale të tregut të kapitaleve dhe do të hartojë një dokument strategjik 5-vjeçar, shoqëruar me një plan konkret veprimi, për përmbushjen e hapave të nevojshme për zhvillimin e tregut të kapitaleve.
Në funksion të përgatitjes së dokumentit strategjik, grupi i punës do të analizojë gjithashtu infrastrukturën ekzistuese të tregut të kapitaleve dhe kapacitetet e saj për të përballuar dinamikën e zhvillimit të këtij tregu.
Në planin e veprimit do të përcaktohen hapat për listimin në Bursë të shoqërive me kapital shtetëror. Kjo pritet të shërbejë si një stimul dhe model për listimin në të ardhmen edhe të shoqërive private. Ky plan veprimi parashikohet të hartohet brenda datës 30 nëntor 2020.
Pjesë e diskutimeve për hartimin e dokumentit strategjik do të jenë edhe përfaqësues nga subjektet e tregut të kapitalit, si edhe nga institucione, shoqata apo shoqëri të tjera private, që mund të japin kontribut në zhvillimin e këtij tregu.