Këtë të martë ka nisur tryeza e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, ku diskutimet fokusohen kryesisht mbi financimin e partive politike.

Damian Gjiknuri, një nga anëtarët e komisionit, deklaroi se është arritur dakordësi midis mazhorancës dhe opozitës për hartimin e një drafti të përbashkët ligjor.

“Me opozitën kemi vendosur të dalim me një draft të përbashkët që ky ligj të mos ketë inate partizane, por rregulla të gjithëpranuara. Shëndeti financiar i partive është një nga elementët më të rëndësishëm të një demokracie. Sa më të konsoliduara partitë, aq më e konsoliduar demokracia. Duhet transparencë për burimet financiare dhe të parandalojmë financime nga interesa biznesi të lidhura me pushtetin, interesa të shteteve të tjera apo nga krimi”, u shpreh Gjiknuri.

Nga ana e tij, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, nënvizoi rëndësinë e transparencës në financimin e partive politike si një masë për të parandaluar korrupsionin dhe ndikimin e palëve të treta.

“Funksionimi i partive politike është çështje thelbësore dhe kushtetuese, po aq sa transparenca e financimeve. Partitë janë organizma që shërbejnë për pluralizmin demokratik. Transparenca është një formë e mirë për të shmangur korrupsionin dhe influencat e faktorëve kriminalë apo të huaj”, tha Bylykbashi.

Diskutimet në tryezë pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, me fokus te përgatitja e draftit të përbashkët ligjor që synon të rregullojë financimin e partive dhe të forcojë standardet e transparencës financiare në politikë.