Pasi vodhi zgjedhjet, regjimi i Bjellorusisë ushtron dhu në mbi protestuesit. Fituesja e vërtetë është arratisur. Bjellorusët janë të xhindosur.Nga gjithë tingujt dhe imazhet shqetësuese që po përcjellin së fundmi mediat nga Bjellorusia, ai që foli më lart ishte zëri i thyer i Svetlana Tikhanovskaya. Nëse zgjedhjet e 9 gushtit do të kishin qenë sadopak të lira ose të drejta, zonja Tikhanovskaya, një ish-mësuese anglishteje pa përvojë politike, tani mund të ishte bërë presidente e vendit të saj, shkruan The Economist. Gjatë fushatës, ajo tërhoqi turma dhe brohoritje të mëdha. Në disa vendvotime ku votat u vëzhguan dhe u numëruan siç duhet, ajo fitoi më shumë se 70% të tyre. Por Aleksandër Lukashenko, diktatori i cili ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994, vetëm tre vjet pasi pushoi së qenë republikë sovjetike, nuk heq dorë lehtë nga pushteti. Numërimi zyrtar e shpalli atë fitues, me 80% të votave, një shifër vërtet e vështirë për t’u besuar. Dhe rivalja e tij 37- vjeçare u detyrua të jepte një “fjalim pranimi”. Ajo kishte shkuar në komisionin qendror të zgjedhjeve për të ngritur një ankesë kundër rezultatit të dukshëm fals. Teksa ndodhej brenda atyre mureve, mesa duket atë e nxitën për të ndryshuar mendje. Më pas, ajo u shfaq në një video të shkurtër, të regjistruar brenda komisionit. Ulur në një divan, me sytë e ulur, ajo lexoi nga një copë letër që ia kishin dorëzuar: “Të dashur qytetarë të Bjellorusisë, unë, Svetlana Tikhanovskaya, ju falënderoj që morët pjesë në zgjedhjet presidenciale. Populli i Bjellorusisë e bëri zgjedhjen e tij… Ju kërkoj të mos përballeni me policinë dhe të mos protestoni në rrugë”. Sipas një aleati, video është regjistruar pasi ajo kishte kaluar tre orë pas dyerve të mbyllura me shefat e sigurisë së zotit Lukashenko. Video u publikua disa orë më vonë, pasi zonja Tikhanovskaya u shoqërua për në Lituani nga siguria bjelloruse, presidenti i së cilës, Gitanas Nauseda, konfirmoi se ajo ishte tashmë e sigurt. “Asnjë person me mend në kokë nuk do të besonte se kjo video është regjistruar me dëshirën e saj”, u shpreh ai.
Presionet Nuk është e vështirë të përfytyrohet presioni i ushtruar mbi të. I shoqi, një vloger i njohur, ishte tashmë pas hekurave. (Ai u burgos sepse ishte përpjekur të kandidonte kundër zotit Lukashenko në zgjedhje. Zonja Tikhanovskaya zuri vendin e tij në fletëvotim.) Disa anëtarë të stafit të saj janë marrë peng ndërsa fëmijët janë fshehur në Lituani. “Shpresoj që askujt të mos i rastisë të vihet në pozitën që u vura unë… Nuk ia vlen të sakrifikohet jeta e askujt për atë që po ndodh tani. Fëmijët janë gjëja më e rëndësishme në jetën tonë”, tha ajo, me sytë e përlotur, në një video tjetër që postoi në faqen e internetit të të shoqit.
Protestat Zoti Lukashenko e kishte gabim nëse shpresonte se dëbimi i zonjës Tikhanovskaya do të shuante protestat kundër mashtrimeve të tij elektorale. Ajo ishte një simbol i rezistencës, por jo udhëheqësja e saj. Në të vërtetë, arsyeja e vetme pse u lejua të regjistrohej si kandidate në vend të të shoqit të burgosur, ishte sepse zoti Lukashenko nuk e shihte atë si kërcënim, duke e mospërfillur si “një të gjorë”. Sht ypja dhe pen gmarrja kanë qenë prej kohësh ndër metodat e preferuara të zotit Lukashenko për ruajtjen e kontrollit në vendin e tij. Deri vonë, ka pasur edhe raste të tjera. Zoti Lukashenko, një ish-shef i fermave kolektive, u ngrit në pushtet në vitin 1994, me premtimin se do t’i jepte fund kaosit post-sovjetik. Ndërsa ish-vendet e tjera vasale sovjetike e kundërshtuan trashëgiminë sovjetike, ai ruajti simbole dhe institucione sovjetike, përfshirë KGB-në. Nuk i privatizoi ndërmarrjet e mëdha dhe përdori subvencione ruse për të mbajtur standarde jetese të ulëta, por mjaft të barabarta. Kjo i dha Lukashenkos një shkallë popullariteti. Megjithatë, në vitet e fundit, marrëdhëniet e tij me Rusinë janë ftohur, subvencionet kanë filluar të thahen, ekonomia ka ngelur në vend dhe aktivizmi civil është rritur, sidomos për shkak të përgjigjes së padenjë ndaj Covid-19. Ditën e zgjedhjeve, radhët për të votuar kundër tij shtriheshin disa kilometra në vende të ndryshme.
Dyshimet për rezultatin Prandaj kur komisioni zgjedhor e shpalli zotin Lukashenko fituesin absolut (dhe i dha zonjës Tikhanovskaya një shifër qesharake votash prej 9.9%), turmat e njerëzve dolën jashtë për të bërë të ditura pikëpamjet e tyre të vërteta. Zoti Lukashenko i përshëndeti me granata tymosëse, gaz lotsjellës, plumba gome dhe një ndërprerje totale të lidhjes së internetit. Policët e tij, me uniforma të zeza, rrëmbyen protestues të zgjedhur rastësisht dhe i shkelmuan pa mëshirë duke i përplasur në tokë. Demonstruesit, që komunikonin ndërmjet tyre me celular, imituan taktikat e stilit të protestuesve të Hong Kongut, duke u shpërndarë dhe duke rigrupuar në pjesë të ndryshme të qyteteve. Policët i ndoqën nga pas, nëpër dyqane dhe blloqe apartamentesh, duke i rrahur me shkopinj. Ata shkatërruan makinat që u binin burive në solidaritet me protestuesit dhe i nxorën shoferët në rrugë. Me dhjetëra u plagosën, një person mbeti i vrarë dhe të paktën 6.000 u arrestuan. Të afërmit e protestuesve u mblodhën jashtë burgjeve ku ata po rriheshin nga policët, duke brohoritur “Duroni”. Gratë bjelloruse, të veshura me të bardha dhe duke mbajtur lule, marshuan nëpër Minsk në shenjë sfide ndaj policëve. Protestuesit po bëjnë thirrje për një grevë të përgjithshme. Nëse ia dalin mbanë, kjo do ta ndalte në vend ekonominë. Por një gjë e tillë nuk do të thotë se rënia e zotit Lukashenko do të jetë e menjëhershme. Në Ukrainën fqinje, që ishte skena e revolucioneve në vitet 2004 dhe 2014, grupe të shumta oligarkike luftojnë për ndikim. Bjellorusia është shumë më e centralizuar. Zoti Lukashenko deri tani ka nën kontroll shërbimet e sigurisë dhe ushtrisë, megjithëse ka pasur disa raportime për policë dhe ushtarë që refuzojnë të zbatojnë urdhra shtypës. Sidoqoftë, terrori është një mjet i pakufizuar në drejtimin e vendit.
Dik tatori i dobësuar Ky diktator, i cili ka mbijetuar duke shfrytëzuar rivalitetin midis Rusisë dhe Perëndimit, tani ndodhet në një pozitë të dobët. Liberalizimi i vendit me siguri do t’i kushtonte postin. Rreptësia edhe më e madhe, me bekimin e Rusisë, do ta shndërronte në të nënshtruarin e Moskës. Dhe megjithëse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka mbrojtur deri tani, marrëdhëniet midis të dyve nuk janë më të njëjtat. Zoti Lukashenko mund të shpresojë për një dorë ndihme nga Xi Jinping i Kinës, një mbrojtës i vjetër, i cili ishte i pari që e uroi për fitoren. Por ekziston një grup tek i cili zoti Lukashenko nuk mund të mbështetet më: populli bjellorus. Ata ende nuk e kanë humbur atë, por ai i ka humbur ata.