Raportet e organizatave më prestigjoze në glob si OECD dhe OKB kanë qenë në ‘një mendje’ në vlerësimin për Shqipërinë sa i takon gjithë procesit të digjitalizimit. Së fundmi, këtyre raporteve u është bashkuar edhe ai i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) i cili gjithashtu ka vlerësuar kalimin e shërbimeve online, përmes platformës e-Albania. Në raport thuhej se digjitalizimi i shërbimeve shmang kontaktin fizik të qytetarëve me zyrtarët duke ndihmuar kështu në uljen e korrupsionit. Për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, një gjë e tillë është inkurajuese teksa pritet që shumë shërbime të tjera të kalojnë online. Aktualisht në platformën e-Albania janë 750 shërbime, duke nisur nga certifikatat e deri te vërtetim pensioni, të cilat jepen online.
“Frymëzues dhe tejet inkurajues fakti që një vend i vogël si i yni po shkëlqen në fushën e digjitalizimit. Raportet e OECD, OKB dhe DASH kanë vlerësuar njëri pas tjetrit, revolucionin digjital të Shqipërisë, udhëhequr nga AKSHI. e-Albania është sot jo vetëm një histori suksesi por një model i digjitalizimit të shërbimeve publike. Një platformë e cila i ka dhënë fund pritjeve, radhëve, ecejakeve e korrupsionit. Vazhdon puna për t’jua bërë më të lehtë çdo ditë të jetës”, shkruan Karçanaj.