Familja e Bukurie dhe Jani Ballës në Kombinat jo vetëm që kanë marrë bonus qiraje që prej momentit pas tërmetit, por kanë marrë gjatë gjithë kësaj periudhe edhe ndihma dhe ndërkohë është në listën e familjeve që do të përfitojnë një banesë të re.
Kështu deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, duke iu përgjigjur pretendimeve të sotme të Partisë Demokratike, lidhur me gjendjen e familjes Balla në Kombinat.
Gjylameti publikoi dokumentet përmes të cilave rrëzohen pretendimet e zëdhënëses së PD-së.
“Abuzuesit politikë të PD gënjejnë dhe ditën me diell. Sërish ditën e sotme Partia Demokratike dhe të papunët e saj kanë mashtruar mediet duke manipuluar të vërtetën. Familja e Bukurie Ballës (Jani Balla) siç shihet në dokumentet e mëposhtme ka marrë bonusin e qirasë dhe në mënyrë transparente ekspertiza apartamentin e tyre në pallatin 66, në Kombinat, e ka cilësuar të pabanueshëm. Dokumentet dhe procedurat ligjore për të marrë shtëpinë e re nga procesi i rindërtimit siç shihet më poshtë kanë përfunduar. Nga ana tjetër, familja ka marrë ndihmat e nevojshme në çdo rast”, u shpreh Gjylameti.
Deputetja e PS-së thekson se “sot Partia Demokratike ka marrë pjesë në një krim duke detyruar familjen në hall të gënjejë brenda një shtëpie, e cila është konsideruar e pabanuar”.
Gjylameti nënvizoi se “PD do të përfitojë politikisht mbi mashtrimet duke keqpërdorur fatkeqësitë natyrore”.
“Sot Partia Demokratike ka marrë pjesë në një krim duke detyruar familjen në hall të gënjej brenda një shtëpie e cila është konsideruar e pabanuar. Të papunët e PD-së duan të ngrihen mbi mashtrimet duke keqpërdorur fatkeqësitë natyrore. Kur nuk ke shkelur një ditë të vetme në Kombinat nuk mund të flasësh për mediet me lëkurën e nxirë pasi ke ardhur nga plazhi. Ku ishin abuzuesit e PD kur në Kombinat ranë fatkeqësitë? Ku ishin kur qindra vullnetarë dhe emergjencat civile rrinin 24/7 pranë familjeve në nevojë? Ku ishin ata kur ne shërbenim pranë çdo të prekuri? Ata që nuk iu gjenden familjeve të përmbytura të Shkodrës e Lezhës duke i lënë në pikë të hallit s’mund të flasin sot nga TV me kremin e plazhit që nuk i është tharë akoma”, deklaroi Gjylameti.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa vizitoi sot shtëpinë e Bukurie Ballës, e cila, sipas saj, “prej 9 muajsh jeton së bashku me bashkëshortin e saj nën çatinë e shtëpisë së dëmtuar që rrezikon përditë shëndetin e tyre”.