Nga Endri Kajsiu/

“Ne do të futemi në zgjedhje me çfarë do lloj pengese që mund të na vihet përpara nga mazhoranca. Ne do të jemi në zgjedhje me çdo kusht”. Kjo është deklarata e anëtarit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në emisionin e djeshëm të “Real Story”. Kanë kaluar më pak se dy vjet nga momenti kur për PD nuk mund të kishte kurrsesi zgjedhje me Ramën Kryeministër.

Po atëherë, çfarë ka ndryshuar? Përse në 2019-n Lulzim Basha vendosi të mos futej në zgjedhje dhe të dilte nga Parlamenti për t’u strehuar në rrugë, ndërsa sot ka ndezur motorët elektoralë të opozitës duke u përgatitur për 25 prillin? Ka vetëm dy shpjegime të arsyeshme. E para, ajo që sipas të gjithë sondazheve dhe pritshmërive, në 2019-n humbja për PD ishte e pashmangshme. Largimi nga Parlamenti dhe bojkotimi i zgjedhjeve nuk ishin “një revoltë”, ashtu siç e paraqit Basha, aq më pak një revoltë popullore, por pjesë e një llogarie të mirëkalkuluar për të shpëtuar nga një humbje që potencialisht mund të rrezikonte pozicionin e tij si lider.

Sepse në zgjedhjet lokalet, PD rrezikonte të mos mbante dot as 15 bashkitë (nga 61) që kishte në dorë. Humbja në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Fier, Berat, Lushnje, e pothuajse çdo qytet tjetër me të mesëm të madh ishte e sigurt. Ndërkohë, pothuajse e sigurt ishte edhe humbja në Shkodër e Voltana Ademit, ndërsa rrezikohej seriozisht të humbej edhe bastioni Kamëz, së bashku me bashki si Vora, Kukësi apo Peshkopia, ku PD gjithmonë ka qenë në garë.

Po atëherë, mos vallë ky ndryshim i qëndrimit të PD lidhet me bindjen se në 2021-n për herë të parë kanë një shpresë për të fituar zgjedhjet? Nëse ndjek retorikën e PD, pa dyshim që në opozitë një shpresë e tillë ekziston. Por, më shumë se sa mundësia e fitores, duket se drejt pjesëmarrjes në zgjedhje Bashën e shtyn siguria se një bojkot i dytë do t’i jepte një goditje fatale forcës së tij politike.

Mospjesëmarrja, do të sillte në mënyrë të pashmangshme një braktisje masive të demokratëve nga votuesit e saj dhe me gjasë do të krijonte kushtet për krijimin e një force tjetër opozitare. Këtë Basha e di shumë mirë dhe kështu shpjegohet ndryshimi 180 gradë i kursit nga PD. Por, edhe një herë më shumë, ky ping pong qëndrimesh nxjerr në pah gabimin e rëndë të deklaratave të pamenduara dhe të thëna kuturu, një bëjnë që PD të ketë një borxh të madh ndaj koherencës apo logjikës bazë. “Nuk ka zgjedhje me Ramën Kryeministër”. “Nuk hyjmë në zgjedhje pa qeveri teknike”. “Zgjedhje do të ketë vetëm mbi trupin tonë”. Etj, etj. Po tani?