Aksi nacional Poliçan-Bogovë është bllokuar për rreth 1-orë,për shkak të rrëzimit të pemëve në rrugën automobilistike. Pemët që janë rrëzuar në rrugë fatmirësisht nuk kanë shkaktuar dëme në automjete apo njerëz pasi në momentin e rrëzimit nuk ka pasur qarkullim në këtë aks.

Bllokimi i rrugës ka ndodhur 3 km në afërsi të fshatit Bogovë, ku ndodhet prej më shumë se 50-vjetësh një aks i pyllëzuar në të dyja krahët e rrugës. Për shkak të tharjes nga temperaturat e larta dhe animit të tyre nga viti në vit, pemët janë thyer nga rrënjët dhe kanë përfunduar në rrugën automobilistike.

Në zonë kanë shkuar forcat e Reparteve Zjarrfikëse të Skraparit dhe Poliçanit,të cilët kanë bërë të mundur prerjen e drurëve në rrugë. Pas një pune intensive të punonjësve zjarrfikës, në bashkëpunimi edhe me punonjësit e Ndërmarrjes së shërbimit në bashkinë Skrapar, është bërë e mundur heqja e trungjeve të pemëve dhe hapja e rrugës nacionale Poliçan-Skrapar.