Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk do të japë dorëheqjen, pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin javët e fundit.
Në një intervistë për gazetën e njohur greke “Kathimerini”, kryeministri Rama thekson se, në demokraci, qeveritë nuk ndryshojnë me dhunë e bombola molotovë, por përmes zgjedhjeve.
“Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë synoj ta përmbush atë. Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time; kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë. Detyra ime është të dëgjoj ankesat e arsyeshme, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nuk do të heq dorë nga kjo detyrë vetëm sepse një pakicë mendon se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”.










