Nga ARTUR AJAZI/

Prej afro 1 muaji, në SHQUP, po merren me një histori të shkuar, me një temë sa të vjetër aq edhe të neveritshme, e cila nuk të ngjall interes ta dëgjosh, dhe jo pastaj të merresh dhe ta interpretosh. Në Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, kanë mbi 1 muaj (nuk dihet përse pikërisht tani) që merren me “sigurimsat” që paskan mbushur Policinë e Shtetit. Nuk po lenë polic, shef komisariati, drejtor policie dhe polic burgu, pa e përgojuar, pa e marrë në ‘analizë”, pa i bërë biografinë e jetës nga çerdhja deri në shkollën e lartë. Madje po merren edhe me ditët e para të fillimit të punës, me shkaqet e emërimit, edhe pse ka prej tyre që kanë mbaruar shkollat në 1990-1991, në atë kohë kur ish-komunistët dhe ish-sigurimsat e asaj partie, po dorëzonin teserat dhe dokumentin “secret” për tu anëtarësuar dhe konvertuar në demokratë. Mjaft figura të ndritura dhe të flakura me dhunë nga Partia Demokratike qysh pas krijimit të saj, kanë kërkuar me ngulm vazhdimisht në vite, demaskimin dhe largimin e ish-komunistave dhe ish-anëtarëve aktivë të Sigurimit të Shtetit nga ajo parti.

Qysh në vitet e para të krijimit të PD, kontigjenti i “brumuar” i ish-anëtarëve seriozë dhe fanatikë të PPSH dhe ish-sigurimsat, u dyndën si rrufe drejt të vetmes parti e cila lindi dhe nisi të rritej si e djathtë serioze. Por nuk ishte e thënë. Brënda saj hynë dhe janë edhe sot, në krye dhe në vende kyçe të saj, ish-komunistë dhe bij të tyre, ish-sigurimsa dhe bij të tyre, ish-bashkëpunëtorë vullnetarë të Sigurimit të Shtetit dhe madje edhe të shërbimeve të tjera sekrete. Mjafton të përmendim takimin e ngutshëm të bërë në një nga selitë e huaja diplomatike në Tiranë, fill pas fitores së zgjedhjeve në 1992 nga PD, mjafton të dimë kush ishin ambasadorët që kërkuan me insistim emrat e bijve dhe stërpinërve të ish-agjentëve të tyre, për ti patur ministra në qeveri, dhe do të bindemi për gjendjen skandaloze, në të cilën ishte por edhe është akoma dhe sot ajo parti “qelibare”.

Por si thotë populli “i ndoturi, kërkon të bëjë pis”. E veçanta me Partinë Demokratike (asnjëherë e djathtë) mbetet fakti se, pikërisht ata që kishin deri dje dosje, ata që kishin teserën e PPSH dikur, u bënë në Parlamentin e ri pas zgjedhjeve të Marsit 1992, më të zjarrtët, u bënë kritikuesit ekstremë të “diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit”. Ishte dhe mbetet qesharake, se si ish-komunistë dhe ish-bashkëpunëtorë vullnetarë mjaft aktivë, apo dhe pasardhës të tyre në PD, flisnin nga foltorja e Parlamentit me pathos, duke mallkuar dhe kërkuar me ngulm “largimin e sigurimsave nga Partia Socialiste”, në një kohë që kjo e fundit, e kishte mbyllur njëherë e mirë historinë me të shkuarën.

Por e kaluara, ishte “çekiçi” mbi kokën e ish-komunistave dhe ish-sigurimsave të PD, pasi ata i gërryente e kaluara, i brente ndërgjegja edhe pse kishin nisur të bëheshin milionerë, duke zhvatur dhe rrëmbyer gjithçka u dilte përpara sa kishin pushtetin. Një fjalë e urtë thotë “kur ke para, çdo gjë mund të blesh, veç të kaluarës tënde”.

Kasta e “të kuqve” dhe ish-sigurimsave në PD, u bë më “demokrate” se vetë ata që kishin lënë rininë dhe jetët e tyre në burgjet e diktaturës. Ata nisën të mbajnë fjalime, të bëjnë seminare, nisën të japin leksione demokracie edhe kur takoheshin me diplomatë perndimorë, aq sa këta të fundit shqyenin sytë dhe nuk u besonin veshëve, tek dëgjonin ish-komunistët të bënin rolin e “viktimave të Enver Hoxhës”. Por ja që, vjen një ditë dhe gjithçka të kthehet në boomerang. Ata që sot ulurasin me të madhe se “Policia e Shtetit u mbush me ish-sigurimsa”, mund tu themi se i kanë sigurimsat në çdo degë të PD nga Tirana deri në rrethe, ata që sot flasin për “rikthimin e ish-komunistave në qeverisje”, mund tu themi se i kanë komunistat dhe bijtë e tyre në kryesi, dhe forume të asaj partie, madje me shumicë. Karta e “ish-sigurimsave” është qysh tani e djegur zoti Basha, ndaj për fushatën elektorale, shpik diçka tjetër, më të hollë, më të besueshme, sepse ndoshta nuk do tu trazosh “terezinë” edhe atyre që ke me “hije” akoma në SHQUP.